Mexhiti: Institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit


Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Mexhitit.

Të nderuar qytetarë,

Si zëvendës Kryeministër i parë dhe si Kryetar i Lëvizjes Demokratike, shpreh keqardhje për mungesën e kulturës politike të cilën vazhdon ta demonstrojë BDI-ja që nga momenti i humbjes së zgjedhjeve dhe kalimit në opozitë.

Nga një parti politike që për më shumë se 20 vite ka gëzuar privilegjet e pushtetit pa ndërprerje, më së paku është pritur kjo formë e arrogancës çfarë po demonstrojnë ata për çdo ditë. Më vjen sinqerisht keq dhe turp kur e shoh se si janë katandisur!

Të dashur qytetarë,

Dëshiroj t’ju siguroj të gjithëve se institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit gjatë ditës së djeshme dhe Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime. Keqkuptimi i shkaktuar mes MPB, TAV dhe sigurimit të Presidentes është sqaruar dhe tejkaluar pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja.

Gjatë ditës së djeshme u lirua nga praburgimi ish ushtari i UÇK-së. Ne po punojmë intensivisht që shumë shpejt ai të kthehet në shtëpi. Duke e ditur këtë, BDI duhej të prodhonte një krizë tjetër artificiale që të minimizohet fakti se ish ushtari i UÇK-së u lirua nga paraburgimi si rezultat i punës tonë në institucione. Sepse për një parti parapolitike e cila institucionet i ka trajtuar si instrument për ushtrim dhune dhe frikësimi dhe i ka parë ato si mekanizëm për pasurim, për një strukturë me mendësi komuniste, secili keqkuptim, sado i vogël të jetë ai, është një shans për të shkaktuar incident, vetëm e vetëm që ata të provojnë të rikthehen në pushtet!

Ftoj BDI-në të tregojë seriozitet dhe pjekuri politike dhe të sillet si opozitë konstruktive. Raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, dhe ato nuk mund t’i cënojë frustracioni opozitar i një partie politike dhe megafonëve të saj që bëjnë lajme të rrejshme për honorare të majme.