Mexhiti: Dënimet për kryetarët e Çairit dhe Tetovës u shqiptuan nga qeveria e BDI-së

Kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti, ka fajësuar Bashkimin Demokratik për Integrim, në krye të të cilit është Ali Ahmeti, për shqiptim të masave ndaj kryetarëve të Komunës së Çairit dhe Tetovës.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Mexhiti ka thënë se BDI-ja ka nxitur situata te pala maqedonase.

“Mendoj se edhe dënimet janë shqiptuar nga qeveria që e udhëheq Bashkimi Demokratik për Integrim ndaj kryetarëve të komunave, Visar Ganiu dhe Bilall Kasami, deklaratat jo të matura dhe nxitje të situatave dhe tek eksponentë të LSDM-së apo te pala maqedonase”, ka thënë ai.

Ai e ka quajtur situatë paradoksale se si edhe në të kaluarën ka pasur manifestime të ndryshme nga kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk ka pasur ndëshkime si në rastin e fundit.

“Është një situatë paradoksale që në Maqedoninë e Veriut, e cila po tenton të bëhet pjesë e Unionit Evropian, po rikthehen metodat e vjetra staliniste për mendim ndryshe, për thirrjen në bisedë informative, në këtë rast edhe për dënim të kryetarëve të komunave kinse gjatë organizimit është përdorur një flamur i Shqipërisë etnike dhe ka luajtur himni i shtetit, që nuk ka të bëjë me realitetin sepse këtu ka aktivitete të përditshme, protesta ku shpeshherë përdoret flamuri i Maqedonisë etnike, përdoret flamuri Vergina që është jokushtetues, në shumë komuna përdoret vetëm Republika e Maqedonisë, por jo e Veriut që po ashtu është jokushtetuese dhe në të kaluarën kemi pasur manifestime edhe nga kryeministra të Kosovës e Shqipërisë, por nuk ka pasur ndëshkime të tilla”, është shprehur ai.

Mexhiti ka deklaruar se nuk ka forcë që do të mund ta lëkundë emrin emërtimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair.

Reagimet kanë qenë të pakuptimta, histerike, edhe kryetari i shtetit na ka habitur që ka qenë në linjë dhe duke përfunduar te kryetarja e qytetit për vizitën e kryeministrit Kurti, ishin të pabaza e nuk kanë argumente dhe nuk kontribuojnë në fqinjësi të mirë, sa i përket rrugës që është emërtuar me emrin ‘Adem Demaçi’, edhe kjo nuk mban sepse edhe kjo rrugë si shumë rrugë në qytetin e Shkupit, kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore. Kanë kaluar me shumicë të dyfishtë në komunën e Çairit, nuk mund ta ndryshojë askush këtë sepse për ta ndryshuar votën, siç është sjellë me dy shumica, duhet edhe heqja me dy shumica. ‘Adem Demaçi’ është vendosur aty dhe nuk ka forcë që mund ta lëkundë prej aty”, ka thënë ai.