Mexhiti: Balancuesi do të avancohet në ligj, shqiptarët do të fitojnë më tepër

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti në Daily Click në TV21 tha se Balancuesi është mekanizëm i devalvuar dhe se sipas tij, “i ka dalur koha”.

Për hir të së vërtetës, Balancuesi në vitet e para pas luftës ka dhënë rezultate efektive në përfaqësimin kuanitativ të shqiptarëve, por jo edhe këto 4 apo 8 vitet e fundit, ku shpesh herë në opinion kanë dalë disa raste ku është devalvuar dhe ka kundër efekt”, tha mes tjerash Mexhiti.

Mexhiti tha se në marrëveshjen politike mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ky mekanizëm do të avancohet në ligj.

E para, në këtë periudhë, aty ku do të ketë punësime, do të ketë punësime edhe të shqiptarëve, ndërsa e dyta, nuk humbin shqiptarët me atë që hiqet Balancuesi, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur momentin për këtë, nuk ka pritur deri në avancim, mirëpo shqiptarët do të fitojnë më tepër, sepse do të sjellim ligj për përfaqësim adekuat, i cili jo vetëm që do të garantojë përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, por do të garantojë punësime jopartiake dhe kualitative”, deklaroi Mexhiti.