Ilir Meta ka treguar mbrëmjen e sotme se i ka thënë kryeministrit Edi Rama tre vite më parë që të mbante dhe vetë, njëkohësisht, detyrën e ministrit të Jashtëm. Ish-presidenti atë kohë, në janar 2019, refuzoi dekretimin e Gent Cakaj.
Më tej, Meta tha se i kishte kërkuar kryeministrit që të vendoste në postin e shefit të diplomacisë shqiptare një figurë nga Partia Socialiste.
“Çfarë i kam thënë Edi Ramës për këtë çështje. I kam thënë, o zotëri, pa certifikatë sigurie prej 6 muajsh, ja ku e ke nga ministria e Jashtme me dokument. Ja bëjmë sot tha certifikatën. Dhe i them, si ja bën sot. Që të bësh certifikatë sigurie për një njeri që ka studiuar në Hungari, etj., ka procedura.
Dhe i thashë, ti e di se çfarë hallesh kam unë si president, etj. I thashë, ministër i jashtëm dihet çfarë pune ka, ose bëj një nga këta të PS-së që ka përvojë, ose merre vetë dhe bëjë këtë zv/ministër. Më tha që është djalë shumë i mirë, më i dituri në botë. Shumë mirë, bëjë ministër Arsimi, se e kishte bosh”, u shpreh Meta në Syri Tv.