NDUE DEDAJ
Të sendërtosh një shkollë nuk është si të ngresh një fabrikë moderne që mund të jetë e përkryer për nga luksi teknologjik. Jo, shkolla e ka “luksin” te motivimi i nxënësit për diturinë. E ta motivosh atë këso kohe për të mësuar është thuajse heroike. Si ta shkëpusësh fëmijën apo të riun e sotëm nga “robëria” virtuale (ani se informuese e argëtuese) e ta nxisësh drejt botës së thellë të dijes? A është mësuesi ynë gjithnjë i mundur për këtë? Zakonisht mësuesi shihet si mishërim i humanizimit, gati si një figurë atërore, por përtej këtij romantizimi, është dhe ai mësuesi i lodhur që nuk u përgjigjet më kërkesave të stadit të sotëm. Ngjan pak si cinike kjo përballë rropatjes së tij të përditshme në klasë. Por ka shpjegimin e vet në marrëdhënien e ndërsjellë “konfliktuale” mësues-nxënës. Majkëll Fullan, një nga studiuesit më në zë të shkollës bashkëkohore, vëren se “shumë nxënës nuk e duan shkollën, e lënë atë ose dalin keq në mësime. Jeta e tyre në shkollë është më e varfër nga sa duhet të jetë”. Ndërkohë, “shumë mësues nuk mund të durojnë, janë mërzitur dhe nuk u ka mbetur më pikë energjie”. Dhe ta zbresësh këtë pohim në realitetin e “lodhur” shqiptar, ku ka mësues që nuk dinë të hapin kompjuterin dhe në vend që të përpiqen më shumë për vete, bëhen dhunues të nxënësve. Një portret i paautorizuar i mësuesit të stilit të vjetër do të ishte pak a shumë kështu: ai është shkollaresk, formalist, i rreptë. Hyn në klasë dhe flet vetë gjatë gjithë kohës, i lë nxënësit në hije, duke mos nxitur interesin e tyre me anë të debatit, diskutimit, konkursit, aplikimit, eksperimentit etj. Klasën e mbyt monotonia. Një orë e tillë është e dështuar pa nisur. Ai kërkon që nxënësi të mos gabojë asnjëherë, si të jetë një robot që vetëm duhet të riprodhojë mekanikisht “mësuesin” e tij. Nëse doni të shihni se si funksionon sot shkolla, shihni sa dyer kabinetesh dhe laboratorësh (nuk) hapen në orën tetë të mëngjesit. Anë tjetër është se mësuesi pedant nuk thellohet në personalitetin e nxënësit, nuk e trajton atë si një subjekt më ëndrra, dëshira, emocione, përjetime, strese, por e sheh thjesht si një “depozitë” ku duhet të zënë vend të gjitha ato që ai thotë. Prerja e mësuesit tradicionalist është autoritarizmi dhe brenda tij rri strukur dëshira që nxënësit ta kenë frikë. Këtij mësuesi rrallë i qesh fytyra, pasi mendon se kjo e afron më shumë se duhet me nxënësin. Nuk bën shaka, nuk është miqësor, fjalët e mira i ka me pikatore. Mbush fletoren e punës edukative me plane pune pa fund. Natyrisht që shkollat tona kanë mësues të shquar, është përvijuar dhe një elitë e re mësuesish të zot, psikologësh shkollorë etj., ama është dhe ky kontingjent mësuesish për të cilët po flasim – i formuar për shkak të traditës, tranzicionit, depërtimit në arsim nga profesione të tjera pa kualifikimet e duhura pedagogjike etj. Nuk është çështja për të përjashtuar askënd artificialisht, por dhe të vazhdojnë arsimtarë që nuk arrijnë kultivojnë shkollën miqësore nuk ka kuptim. A mundet që me një kontingjent jo të pakët mësuesish të “vjetruar” të përgatisim njerëzit për shoqërinë e informacionit dhe ta kapërcejmë tranzicionin e zgjatur? Të gjithë do të thoshin jo. Atëherë shtrohet pyetja: çfarë duhet bërë? A janë testimet masive mënyra më e mirë për t’i shmangur këta edukatorë të shkollës së vjetër nga mësimdhënia? Apo mënyra më e frytshme do të ishte testimi i orës së tyre të mësimit, i procedimit në procesin mësimor etj. Ata nuk dinë të ikin nga klishetë e shkollës socrealiste, dhe pse kundraja e shkollës sot është krejtësisht tjetër. Të stërvitur e kalitur si formalistë, pa mendim e veprim krijues dhe pa mendësinë e bashkëveprimit ndërlëndor. Ora e mësimit nuk është një monolog i mësuesit tradicional me vetveten. Shkolla është një polifoni zërash dhe disiplinash, ku harmonizohen dijet e ndryshme dhe shpesh mes fushave të dijes nuk ka ndasi klasike. Ka njëzetepesë vjet që Ministria e Arsimit përpiqet ta reformojë arsimin dhe ndryshime të dukshme kanë ndodhur, por prapë mësuesi diku-diku ka mbetur në parametra modestë profesionalë, sidomos në zonat larg qendrave të zhvilluara. Kësisoj, fokusimi te formati i tij kulturor-profesional është gjëja e duhur, ndonëse profili i tij në këtë qasje zbulohet vetëm duke e parë atë në procesin mësimor. Performanca e shkollës është në radhë të parë ajo e mësuesit. Por aftësimi i tij profesional nuk është kuadri i ngushtë i blerjes së krediteve çdo të shtunë duke paguar në(n) dorë ca para të thata. Shitja dhe blerja e krediteve është “tregtiza” e sotme e shkollës. “Po i bleve me shumicë (kreditet) çmimi është më i ulët”!? Nuk ka më paradoks se ky. Në Shqipëri ende nuk ka një strukturë të legjitimuar për të dhënë kredite. Këtë nuk e kanë universitetet e si mund ta kenë disa subjekte private thuajse anonime? Nuk kemi asgjë me to, nëse kreditet e tyre me të vërtetë vlejnë përgjithmonë në karrierën e mësuesit. Përvoja ka treguar se deri tani asgjë nga certifikatat e lëshuara me dorë të lirë apo të shtrënguar nuk ka vlejtur, në mos vetëm për kualifikimin e radhës së mësuesit, por jo më tej dhe sidomos jo për të ruajtur vendin e punës. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, pas një projekti të rëndësishëm për ndryshimet demokratike në shkollë dhe nismat në bazë komuniteti (me katër partnerë të rëndësishëm: Këshilli i Europës, Qeveria Shqiptare, fondacioni “Soros dhe “Kulturë Kontakt” – Austri) u certifikuan si trajnues 11 persona në shkallë vendi nga Tirana dhe rrethet, por asnjëherë më pas këta specialistë nuk u thirrën për të shërbyer atë që ishin trajnuar. Ju rroftë certifikata që morën, sa për ta pasur në CV-në e tyre. Por sa projekte të tjera ka pasur, sa dëshmi që nuk pinë ujë janë lëshuar nga organizma shqiptarë dhe të huaj. Këta persona do të ishin më të përshtatshmit për të trajnuar kolegët e tyre për demokratizimin e shkollës. Nuk ka shkollë efektive, miqësore, bashkëpunuese, komunitare me mësues të stilit të vjetër. Një mësues që nuk e ka kapur sensin e ndryshimit nuk mund t’u përgjigjet koncepteve të tilla si: arsim gjithëpërfshirës, mësimdhënie e qëndrueshme, edukim karriere, të mësuarit me kompetenca, integrim ndërlëndor, projekte kurrikulare etj. A do ketë pra një sitë që të ndajë mësuesin e duhur nga mësuesi që nuk i përgjigjet standardit të shkollës së modernizuar? Zhvillime pozitive në arsimin shqiptar ka, nga koha në kohë, edhe në qeverisjen aktuale, si mbyllja e kioskave universitare, reformimi i altertekstit, licencimi i mësuesve, prirja për vendosje në punë me konkurrim, por jo dhe testimi “gjithëpërfshirës” i përfolur i majit. Siç një strategji tjetër e matjes së punës së mësuesve do të ishte: jo vetëm mund të ngjitesh, po dhe mund të ulësh në “kredite”, nëse nuk ke rezultate në procesin mësimor. Debati për demokratizimin e mësimdhënies nuk është i ri, ai ka nisur në Europë në vitet ’60, kurse mbi cilësinë e shkollës në vitet ’70, por te ne ka disa faza vonese. Kuptimi i shkollës janë nxënësit, përherë me aventurën e tyre të moshës, ndaj s’mund të kërkojmë t’i bëjmë të mëdhenj pa u ardhur koha. Tjetra duhet të ndodhë, që mësuesi të jetë edhe nga pak “adoleshent”. Në mësuesi, reflektimi është si eliksiri që të mban përherë të freskët mësimdhënësin. Fëmijët e sotëm janë me intuitë të zhvilluar dhe, përveç lodhjes, marrim dhe kënaqësi nga puna me ta, thonë mësuesit. Ky është thelbi i të kuptuarit të tyre. Por shpesh i mëshohet me tautologji procesit mësimor, programeve e testeve, ndërkohë që parësore është të kuptohet nxënësi, ku në rastin e gjimnazistit ai është në moshën, që, siç shkruan një shkrimtare amerikane, i humb të gjitha privilegjet e fëmijës dhe ende nuk ka fituar asnjë privilegj të të rriturve. Kësisoj, edukatorëve u bie barra të kuptojmë çfarë ndodh me këtë qenie gjithë energji, e kanë ata përgjegjësinë nëse nxënësi iu thyhet në dorë, siç kanë lavdin e meritën kur ai arrin të ecë lirisht mbi “traun e ekuilibrit”. Nuk duhet harruar asnjëherë marrëdhënia njerëzore mes nxënësve, pasi ky do të ishte njëlloj eklipsi profesional i mësuesit. Ashtu siç duhet mbajtur mirë parasysh e gjithë rrethina sociale, shpesh e ndotur, ku nxënësit dhe studentët tanë rrojnë e edukohen.