Messi e nis konferencën lamtumirëse me lot në sy

Messi në konferencën përshëndetëse për media si pjesë e Barcelonës ka shfaqur emocione të shumta. Në hyrje ai ka marrë një faculetë nga bashkëshortja për të fshirë sytë. Në sallë janë familja e Messit, bashkëlojtarët e krerët e klubit. Messi ka thënë se synimi i tij ka qenë të qëndrojë në klub dhe nuk ishte përgatitur për këtë.

“Është e vështirë për mua, pas aq shumë vjetësh. Nuk jam i gatshëm për këtë. Këtë vit familja ime dhe unë ishim të bindur se do të qëndronim, do të qëndronim në shtëpi. E kemi si shtëpi tonë. Ka qenë kohë e jashtëzakonshme. Sot duhet të them lamtumirë. Kam qenë aq shumë vite, gjithë jetën time, që nga mosha 13-vjeçare. Pas 21 vjetëve në klub po largohem me bashkëshorten e tre fëmijët e mi katalan-argjentinas. Nuk mund të them se nuk do të kthehem. I kam premtuar fëmijëve të mi se kjo është shtëpia jonë. Kam jetuar shumë përvoja të bukura, por edhe të këqija. Më kanë ndihmuar gjitha këto të rritem, përmirësohem e të bëhem personi që jam sot. Kam dhënë çdo gjë nga dita e parë deri në të fundit. Jam shumë falënderues. Kurrë nuk kam menduar largimin në këtë mënyrë”, ka thënë Messi në konferencë për media.

Legjenda e futbollit Lionel Messi ka shpërthyer në lot në nismë të konferencë për media, pas njoftimit dy ditë më parë për largimin e tij nga Barcelona. “Është shumë e vështirë për mua pas aq shumë vitesh qëndrimi në Barcelonë”, ka thënë Messi. Messi ka thënë se vitin e kaluar donte të largohej, por këtë vit ishte i vendosur të qëndronte.

“Shumë gjëra më kanë shkuar në mendje. E në të njëjtën kohë jam disi në terr. Nuk po mund të mendojë se çfarë të them. Nuk po mund të përballem me realitetin se largohem e të ndryshojë jetën tërësisht. Nga mosha e re kam qenë në klub të parë. E tash do të fillojmë të ndryshojmë, do të jetë ndryshim i vështirë veçanërisht për familjen. Kanë menduar se do të qëndrojnë në qytet. Por e di se do të jemi në rregull. Do të jetë ndërrim i vështirë, por duhet të pranojmë, të ecim para”, ka thënë Messi.

“Kam bërë çdo gjë të mundur, po ashtu presidenti Laporta dhe klubi. Por nuk ishte e mundur për shkak të La Ligas. Janë thënë shumë gjëra, se unë nuk dua të vazhdojë. Kam bërë çdo gjë. Vitin e kaluar nuk doja të qëndroja, këtë vit doja të qëndroja por nuk munda”.

Messi në konferencë ka thënë se kanë ardhur shumë oferta pas lajmit për largimin nga Barcelona.
Ai ka thënë se ende nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë klub momentalisht.