Albin Kurti, mbajti sot mbledhjen e parë si Kryeministër i Kosovës. Ndonëse mbledhja nuk zgjati shumë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, pat kërkesa specifike për ministrat e kabinetit të tij.
Me dy zëvendësit e tij në krahë, Avdullah Hotin dhe Haki Abazin, Kurti u shpreh se programi i tyre është aq ambicioz sa pritjet e qytetarëve.
Duke qenë për herë të parë në krye të shtetit, Kurti tregoj se është guximtar për të dhënë rezultate për premtimet të cilat i ka dhënë.
“Unë nuk kam dyshim, se ne kemi aftësinë, guximin dhe shkathtësitë për t’i dhënë rezultatet për të cilat kërkohen prej nesh. Sot e të gjithë popullit janë tek ky kabinet qeverisës, rrjedhimisht tek secilit prej jush”, ishte fjalimi hyrës i Kurtit.
Por për pesëmbëdhjetë (15), ministrat e kabinetit të tij, Kurti e pati një kërkesë të veçantë. Ta mësojnë përmendësh programin qeverisës.
“Të gjithë ne të mësojmë përmendsh, programin tonë që del nga marrëveshja jonë e përbashkët sepse me të do të zgjohemi në mëngjes, e me të do të flemë në mbrëmje. Le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë ashtu siç i kemi qytetarët tanë që janë aq të mirë”, ishte kërkesa e parë e Kurtit për kabinetin e tij.
Në veçanti pati kërkesa për dy ministrat e kabinetit të tij. Ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafës i kërkoi të qëndrojë më shumë me fermerë, ndërsa për Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitisë, i kërkoi të kalojë kohë më shumë me pacientë.
“Ministri i Bujqësisë duhet të kalojë kohë me fermerët sesa në zyrën e tij, e ministri i Shëndetësisë, më shumë kohë duhet të kalojë me mjekë edhe me pacientë, pra jo të rrimë ulur në kolltuqe e të urdhërojmë nga lartë, por të zbresim poshtë, sa më afër qytetarit, sepse atje është e vërteta jonë, atje shihet politika jonë”, ju ka thënë Kurti ministrave.
Kurti nisi sot ditën e parë në krye të ekzekutivit, me një parakalim mbi tapetin e kuq të shtruar vetëm për të, ai pranoi detyrën e tij nga zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli.