Mësimi online – test për (mos)aftësinë e shkrim-leximit digjital të mësimdhënësve, fëmijëve dhe prindërve (1)

Pandemia e koronavirusit ka mbyllur miliona nxënës dhe studentë, në mbarë botën, në shtëpitë e tyre. Ata janë të detyruar edhe të mësojnë nga shtëpia, për shkak se s’ka opsion tjetër, kurse kjo është diçka që paraqet sfidë jo vetëm për sistemin tonë arsimor, por edhe për sistemet në vendet shumë më të zhvilluara.

Shumë dhoma fëminore dhe ditore, madje edhe kuzhina në këtë periudhë janë shndërruar në mini klasa, kënde në të cilat fëmijët nëpërmjet laptopave apo smartfonëve të tyre e ndjekin orën mësimore. Kjo, për ne, praktikë e re e mësimit, e nxjerr në shesh (jo)kreativitetin, por edhe (mos)aftësinë e shkrim-leximit digjital të mësimdhënësve, ndërsa në të njëjtën kohë e teston edhe durimin e prindërve.

Si është të mësohet nga shtëpia? Cilat mënyra dhe vegla përdoren gjatë mësimit në distancë? Sa është efikas mësimi? Për këtë, i pyetëm disa prind të cilët na e përshkruan mësimin në kohë të Kovid-19. Përvojat janë nga më të ndryshmet, kurse nga ajo që e kemi si përgjigje, mund të konstatohet që gjithçka varet nga vullneti, përgatitja dhe përkushtimi i mësimdhënësve.

“Te ne mësimi nuk funksionon assesi dhe kjo më krijon nervozizëm. Në platformën një herë në javë publikojnë çka duhet të punohet dhe aq. Nuk ka asnjë sqarim nga mësimdhënësja. Ne duhet ta pyesim kurse ajo nuk ka interes dhe vullnet të na sqarojë. Tani, me rregullin e ri, sipas orarit të orëve, çdo ditë duhet të dërgojmë detyra të punuara”, thotë A.S., nënë e një nxënësit të klasës së tretë në Shkup.

Ka edhe prind të cilët krejtësisht refuzojnë që fëmijët e tyre t’i plotësojnë obligimet.

“Nuk fotografoj, nuk dërgoj. I thashë mësueses që kjo për mua është stres më i madh se sa për ata. Nuk keni pasur fëmijë binek dhe nuk e dini si është kur në të njëjtën sekondë, unë tërbohem. Sipas meje, ky mësim online është marrëzi, atë e bëjnë që mirëmbajnë diturinë dhe asgjë më tepër”, konsideron B. J., nënë e binekëve.

Shumë mësimdhënës kanë vendosur të mos shfrytëzojnë ueb-platforma, por thjeshtë t’i fotografojnë temat e parapara për t’u punuar gjatë një jave, pastaj ua dërgojnë nxënësve nëpërmjet prindërve. Pastaj i pranojnë punimet me mejl.

“Mësimdhënësja jonë në grupin në Fejsbuk që e kemi çdo ditë publikon plan për të gjitha orët me radhë. Atë që ua shkruan në tabelën në orë, atë e shkruajnë në fletoren shkollore dhe veç kësaj kanë edhe detyra shtëpie. Kjo nuk e zëvendëson mësimin klasik, por është më mirë se asgjë. Dhe gjithsesi është lehtësim që jemi në shtëpi, për shkak se po të jemi në punë, fëmijët vështirë do të punojnë. E bija ime është klasa e tretë. Fotografojmë dhe e dërgojmë atë që e punojmë”, thotë H. S. nga Shën Nikole.

Nga përvojat që prindërit e ndanë me ne, mësimdhënësit shpesh përdorin Viber për të komunikuar, për të dhënë udhëzime dhe për të mbajtur orë mësimore. Në adresat e postës elektronike i dërgojnë materialet, përkatësisht fletët mësimore.

“Mësimdhënësja në viber grup jep instruksione, kurse me e-mejl dërgon fletë mësimore. E fotografojmë atë që e punojmë dhe e dërgojmë në grupin në Fejsbuk, në album për secilin fëmijë. Mësuan një këngë, edhe videon e incizuam aty. Lexim i detyrueshëm nga disa faqe të librit në ditë, me deklaratë të nënshkruar nga prindërit. Janë klasa e dytë dhe më së shumti punojnë gjuhë maqedonase dhe matematikë. Nuk është rëndë për shkak se mësimdhënësja i ka koordinuar mirë fëmijët dhe ata punojnë pa problem, kurse edhe materiali nuk është i vështirë për sqarim”, thotë një prinde.

Disa prind thonë që fëmijët për mësim online përdorin Zoom.

“Te bija ime në mësimin klasor funksionojnë më mirë, te biri im në mësimin lëndor nuk kanë aspak udhëzime, as komunikim adekuat ndërmjet mësimdhënësve dhe fëmijëve. Orë prej 15 minuta nuk është orë mësimi, derisa rrinë, të qeshen të gjithë deri sa të shihen në kamerë, ora mbaron. Ashtu është në periudhën e parë, besoj se për një javë – dy do të bëhet normale për ata. Pa aftësi për shkrim-lexim digjital ka edhe mësimdhënës, por edhe prind të cilët nuk dinë të hapin ppt fajl. Ky nuk është problem, të gjithë do të mësojmë, vetëm durim dhe kohë, por edhe të ndihmojmë njëri tjetrin”, thotë nëna e një nxënësi në klasë të dytë.

Ka prind të cilët konsiderojnë që kjo është krejtësisht dimension i ri në lidhjen me fëmijët.

Mënyra e këtillë e mësimit nuk ka shumë pika të përbashkët me atë klasik. Përqendrimi është më i ulët, kurse gjithçka tjetër është më interesante nga shtëpia. Mundi i investuar nga ana e prindit varet nga ajo se cila klasë është fëmija. Në klasat më të ulëta nuk ka nevojë për shumë mund, dimë të sqarojmë shkrim dhe përllogaritje. Për klasat më të larta disa punë duhet t’i mësojmë nga fillimi, për shkak se nuk i kemi mësuar në arsim fillor. Kemi dimension të ri në raportin me fëmijët dhe ky mbase është përfitimi më i madh nga kjo situatë”, vlerëson N. R., babai i dy filloristëve në shkollën në komunën Qendër.

Derisa secili gjendet ashtu si mundet, në fund prapë se prapë, mësimdhënësit do të duhet të gjejnë edhe mënyrë për t’i vlerësuar nxënësit. Byroja për zhvillim të arsimit tash më ka hartuar udhëzim, në të cilin ka udhëzime për të shkruar notat.