Mësimdhënësit në Maqedoni kundërshtojnë ditarët elektronikë

Vendimi i Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut që nga 1 shtatori të hiqen nga përdorimi ditarët e shtypur në arsimin fillor dhe të mesëm, nuk është pritur mirë nga disa shoqata të mësimdhënësve.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe nisma qytetare “Mësim dhe libra patjetër të ketë”, druajnë se vendimi për heqjen e ditarëve të shtypur mund të shërbejë për manipulime, për humbjen e të dhënave, por po ashtu mendojnë se do të jetë vështirë që të zbatohet, marrë parasysh përvojën nga mësimi online, që sipas tyre jo nuk ka dhënë rezultate, por ka dëmtuar rëndë nxënësit dhe procesin mësimor. Deri tani në përdorim ishin edhe ditarët elektronikë, por edhe ata të shtypur, gjë që shihej si ngarkesë për mësimdhënësit të cilat notimin si dhe evidencën pedagogjike e bënin në dy ditarët.

“Nga viti i ri shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm, do të përdoren vetëm ditarët elektronikë. Mësimdhënësit më nuk do të kenë detyrim për të futur të dhëna dhe nota për nxënësit si në ditarët e shtypur ashtu edhe në ato elektronikë. Mësimdhënësi tashmë dinë të plotësojnë një ditar elektronik që ka qenë pjesë e sistemit arsimor prej vitesh. Në ditarët elektronikë, përveç notave, do të futen informacione për mungesat dhe aktivitetet e nxënësve”, thuhet në njoftimin e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Samet Jahiu, mësues dhe përfaqësues i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, thotë se ditarët elektronikë lënë hapësirë për manipulime andaj edhe janë të papranueshëm.

“Ne gjithmonë kemi reaguar, pse të jenë dy ditarë, në veçanti kemi kundërshtuar ditarin elektronik për shkak se ndryshon nga ditari klasik apo i shtypur. Ne notojmë nxënësit në ditarin elektronik, por ku mund t’i besohet, në veçanti atij që bën kontrollin, si mund t’i besojmë pasi mund të ketë manipulime. Tani kemi sulme të ndryshme hakerësh që i gjithë rrjeti mund bie apo gjithë notat të bëhen pesa. Tani nuk e dimë se kush ka bërë notimin, unë apo ai. Ditari klasik është ndryshe. Aty unë bëj notimin dhe s’ka kush e ndryshon dhe ai ruhet në librin amë, arkivohet dhe aty qëndron deri në 100 vjet”, shprehet Jahiu.

Ai po ashtu thotë se problem paraqitet edhe mungesa e internetit në shumë shkolla, në veçanti në zonat rurale që e bën të pamundur evidencën pedagogjike dhe notimin në mënyrë elektronike.
“Ne nuk jemi kundër modernizimit, por jo në këtë mënyrë. Unë personalisht dhe ne si shoqatë, jemi për një ditar, por jo atë elektronik. Në vendet malore ku unë jam i angazhuar, ne nuk kemi as internet e as gjëra tjera. Ku do të bënte notimin mësimdhënësi, në shtëpinë e tij?”, thotë Samet Jahiut nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë.
Kundër ditarëve elektronikë është shprehur edhe Dragana Spasevska nga nisma qytetare “Mësim dhe libra patjetër të ketë”.

“Mund të jetë lehtësim për persona të caktuar, megjithatë ne nuk mundemi të mbështetemi vetëm në të dhënat elektronike pasi e dimë se si funksionojnë këtu rrjetet e internetit. Kishin dështim të plotë të platformën kombëtare për mësim online dhe kush mund të garantojë se do të ketë sukses edhe me ditarët elektronikë. Mendoj se është një hap i gabuar pasi digjitalizimi mund të lehtësojë punën, megjithatë ne duhet të mbajmë edhe ditarët e shtypur. Ditari elektronik lë hapësirë për manipulime, për fshirjen e të dhënave e gjëra të tjera”, thotë Spasevska. Ajo si shqetësim ngre edhe ndryshimin që është bërë në ditarin elektronik, ku sipas saj, te të dhënat e nxënësve më nuk qëndrojnë si prindër babai dhe nëna.

“Që kur filluan të aplikohen ditarët elektronikë, ne figurojmë aty si prindi numër një dhe prindi numër dy. Ky ndryshim ishte bërë pa asnjë paralajmërim, pa asnjë konsultim, thjesht e bënë në mënyrë tinëzare. Gjithmonë te të dhënat e nxënësve ka figuruar prindi, babai apo nëna e nxënësit dhe jo prindi një dhe prindi dy. Kur kanë bërë këtë ndryshim të qëllimshëm, ata mund të bëjnë edhe ndryshime apo manipulime tjera, prandaj ditari i shtypur nuk duhet të hiqet nga përdorimi”, thotë Spasevska. Në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut ka rreth 25 mijë mësimdhënës, të cilët nga shtatori duhet të zbatojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për evidencën dhe notimin e nxënësve vetëm në ditarët elektronikë.