Mersim Koleci emërohet ushtrues detyre Drejtor i Spitalit të Dibrës

Pas 18 vitesh përvojë pune si Sekretar-Jurist në Spitalin e Dibrës, Mersim Koleci ka marrë detyrën e re si ushtrues detyre (UD) Drejtor i Spitalit të Dibrës. Koleci e ndau lajmin me qytetarët dhe familjarët, duke shprehur angazhimin e tij për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe për të ngritur standardet e trajtimit për pacientët, si dhe për të përmirësuar kushtet e punës për stafin spitalor.

“Pergjegjësia nga marrja e kësaj detyre më detyron që të jap maksimumin tim si në aspektin profesional ashtu edhe në atë human,” deklaroi Koleci, duke theksuar përkushtimin e tij për një qasje të balancuar midis menaxhimit profesional dhe ndjeshmërisë ndaj pacientëve.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e lëvizjes Besa, që i dha besimin për të udhëhequr këtë institucion të rëndësishëm për qytetin e Dibrës. “Me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen e të gjithë stafit të Spitalit, shpresoj të arrijmë objektivat tona për të përmirësuar shëndetësinë në këtë qytet,” përfundoi Koleci në mesazhin e tij.