Merret në pyetje Fati Xhamaili, i dyshuar për tregti me teste të rrejshme për Kovid

Fati Xhemaili nga fshati Vishticë i Komunës së Likovës dyshohet të jetë organizatori i grupit i cili ka shitur teste të rrejshme. Deri para pak minutave Xhemaili është ndodhur në bisedë informative në polici, pas çka burime të Alsat bëjnë të ditur se është lënë i lirë deri në një masë tjetër nga organet e ndjekjes penale. Nuk dihet nëse janë ndërmarrë masa kujdesi, por jo zyrtarisht flitet për konfiskimin e pasaportës.

Xhemaili është pronarë i kompanisë “Euro Lines-Fati”, zyra dhe shtëpia e të cilit janë bastisur në kuadër të aksionit policorë. Bastisje mësohet se për momentin janë duke u zhvilluar edhe në Vjenë të Austrisë ku po i njëjti subjekt posedon adresë dhe zyre kontakti.

Policia pasditen e sotme ka njoftuar për arrestimin e 7 personave të dyshuar për tregti me teste të rrejshme për Kovid-19. Janë bastisur 11 lokacione, ndërsa janë konfiskuar: telefona celularë, kompjuterë, lap-top, 118 marrëveshje të pa plotësuara teknikisht, 13 të plotësuara me të dhëna të ndryshme, 4 teste negative, vula dhe një dokument zyrtarë i një noteri austriak.

Bastisje ka pasur edhe në Shkup, Tetovë dhe Manastir.