Merr fund makthi në dogana, nga sot rregulla të reja për kalimin drejt Greqisë


Pas mesnate rreth orës 00:40 të 17 Gushtit ka marrë fund saga disa ditore e radhës kilometrike që ishte krijuar në doganën e Kakavijës. Pikërisht në këtë orë, përfundoi kalimi drejt Greqisë i të gjithë qytetarëve që prisnin në radhë prej 4-5 ditësh.

Pala greke punoi gjatë gjithë natës përtej orës 22:00 sikurse ishte rënë dakord, për të bërë të mundur kalimin e kufirit të të gjithë qytetarëve që prisnin në radhë. Marrëveshja u arrit falë komunikimit të autoriteteve shqiptare me palën greke. Gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kakavijës kaluan 3325 persona dhe 1629 automjete. Edhe në pikën kufitare të Kapshticës situata u normalizua shpejt. Ndërkohë që sot hyjnë në fuqi rregullat e reja për të kaluar drejt Greqisë. Kështu, për të kaluar nga dogana e Kakavijës dhe Kapshticës qytetarët do të duhet të kenë me vete certifikatën e kryerjes së testit COVID19 jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë negativ. Pala greke ka kërkuar që ky testim të jetë kryer nga ISHP ose nga çdo klinikë apo spital i certifikuar nga shteti.

Kjo certifikatë e kryerjes së testit Covid-19 duhet të përmbajë të dhënat personale të personit numrin e pasaportës ose të kartës greke rezultatin negativ të testit emrin e Institucionit ku është kryer testimi adresën numrin e telefonit si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze. Po kështu, qëndron në fuqi edhe aplikimi i formularit online PFL. Prej ditës së sotme, nga dogana e Kakavijës lejohet të kalojnë vetëm 750 persona në ditë ndërsa nga Kapshtica 300 persona në ditë. Qytetarët që do të lejohen të kalojnë drejt Greqisë nëse plotësojnë kushtet e mësipërme janë ata që kanë leje qëndrimi ose shtetësi greke, punëtorët sezonalë si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës.