Merr detyrën shefi i ri i OSBE-së në Shkup


Ambasadori Klemens Koja nga Austria, merr sot detyrën si Shef i ri i Misionit të OSBE-së në Shkup. Ai vjen si pasardhës i Nina Suomalainen, e cila në prill të këtij viti e përfundoi mandatin e saj si shefe e këtij misioni.

“Kam kënaqësinë të ndërmarr këtë post të rëndësishëm në mes të një procesi të vazhdueshëm të reformave në vend lidhur me fusha të rëndësishme, përfshi sundimin e ligjit, mediat, administratën publike dhe policinë,” deklaroi Koja. “Me padurim pres të punojë me përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile, si dhe me të gjitha palët tjera për ta përforcuar akoma më shumë bashkëpunimin e mirëfilltë me Misionin”, thotë Koja.

Koja ka më tepër se 29 vite eksperiencë profesionale në Shërbimin e Jashtëm. Më parë, ai shërbeu si Përfaqësuesi i Përhershëm i Austrisë në OSBE në Vjenë, si Ambasador i Austrisë në Beograd dhe Lubjanë, si Zëvendës Shef i Ambasadës së Austrisë në Madrid dhe si Drejtor i Departamentit për Evropën Jugore pranë Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Ka studiuar drejtësinë në Universitetet e Salzburgut dhe Vjenës dhe posedon diplomë master në teologjinë katolike.

Prioritetet kryesore të Misionit të OSBE-së në Shkup janë avancimi i marrëdhënieve konstruktive ndëretnike dhe mbështetja e implementimit të mëtejshëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 dhe shtyllat e saj thelbësore: mos-diskriminimi, arsimi, decentralizimi, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, komunitetet më të vogla dhe përdorimi i gjuhëve. Misioni punon me autoritetet për të zbatuar reformat në sferat siç janë zgjedhjet, puna demokratike e policisë, vetëqeverisja lokale, mediat dhe gjyqësori./PC