Merko: Askush nuk ka asgjë kundër liturgjisë, por mosmbajtja e largësisë është gabim i policisë dhe i organizatorëve

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko në deklaratë për ‘Faktor‘ thotë se liturgjia e djeshme në Strugë u mbajt pa distancë fizike dhe se kjo është gabim i Qeverisë dhe organizatorëve.

Ai tha se liturgjia që u mbajt dje në Strugë është ngjarje që në mënyrë tradicionale për çdo vite mbahet, dhe askush nuk kundërshton një gjë të tillë.

“Liturgjia mbahet çdo vit dhe askush nuk kundërshton atë, për shkak se është ngjarje tradicionale. Por, në kushte të coronavirusit dhe rekomandimeve, të mos mbahet distancë sociale mes qytetarëve dhe të mos mbajnë maska, përfshi këtu faktin që Struga kishte një numër të madh të të infektuarve nga virusi Covid-19, mendoj se mosrepektimi i këtyre masave ka qenë gabim i pushtetit qendror dhe i organizatorëve”, tha Merko.

Ai thotë se si kryetar komune nuk ka çfarë të ndërmerr në këtë rast për shkak se autoritetet lokale nuk janë ata që dënojnë.

“Ne si pushtet lokal nuk kemi kompetenca në raste të tilla të dënojmë. Ka polici e cila thotë se ka lejuar të mbahet ngjarja, po sigurisht jo për një mënyrë të atillë. Tani duhet ajo të ndërmerr masa”, thotë Merko i cili sqaron se ngjarja nuk është paraqitur në komunë dhe nuk është kërkuar leje.