Merkel akuzon fort Rusinë: Do ketë pasoja për sulmin kibernetik në Bundestag

Kancelarja Angela Merkel ka bërë akuza serioze ndaj Rusisë në lidhje me sulmin e piraterisë kibernetike në Bundestag në vitin 2015. Ajo paralajmëroi se kjo do të ketë pasoja.

Në lidhje me rezultatet e hetimit të Prokurorit të Përgjithshëm Federal, ajo foli të mërkurën në Bundestag për “prova të forta” për përfshirjen ruse dhe foli për një mënyrë veprimi “monstruoze”. “Unë i marr shumë seriozisht këto gjëra, sepse besoj se hulumtimet janë bërë në mënyrën më të mirë”, tha Merkeli.

“Unë mund ta them sinqerisht: kjo më lëndon”. Kancelarja tha se çdo ditë përpiqet për një raport më të mirë me Rusinë. Por pastaj i duhet të përjetojë se ka dëshmi për një mënyrë të tillë veprimi.

Në interpelancën në Bundestag Merkeli tha se edhe të dhëna nga zyra e saj e deputetes në Bundestag janë kapur me sa duket relativisht sipas qejfit.

Para deputetëve në Bundestag, Merkel foli për një strategji të “luftës hibride” nga Rusia, e cila gjithashtu përfshin “çorientimin” dhe “shtrembërimin e fakteve”.

“Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj dhe jo thjesht ta heqim mendjen”, tha kancelarja. “Nuk është thjesht rastësi, por është pa dyshim një strategji që përdoret atje.” Kancelarja tha që ajo do të vazhdonte të përpiqej për një marrëdhënie të mirë me Rusinë. Por një “bashkëpunim në mirëbesim” në këtë mëynyrë cënohet.

E pyetur për pasojat e mundshme kundër Rusisë, Merkeli tha. “Sigurisht, ne gjithmonë i rezervojmë vetes të drejtën të marrim masa, përfshirë masa kundër Rusisë.”

Sipas raportimeve të disa mediave më 5 maj, hetuesit në Karlsruhe e fajësuan zbulimin ushtarak rus GRU për sulmin kibernetik në shkallë të gjerë në Bundestag në vitin 2015. Prokuroria Federale shpalli javën e kaluar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër një pirati të ri rus të internetit, të quajtur Dimitri Badin, pas viteve të hetimeve të Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atë e akuzojnë për aktivitete të shërbimit sekret dhe spiunim të të dhënave. Ai kërkohet edhe nga FBI-ja e SHBA. Burri mendohet se ndodhet në Rusi.