Mërgimtarët humbin interesin për regjistrim! Selami: Në ditë ndodh të kemi 10 të regjistruar

Nëse në muajin mars në ditë regjistroheshin me mijëra mërgimtarë, 100 ditë pas fillimit të regjistrimit të diasporës në një ditë kemi vetëm 10 regjistrime. Kështu tha zëvendësdrejtori i Entit për Statistika, Ilmi Selami.
“Është e natyrshme se filloi si sprint dhe tani u shndërrua procesi në një maratonë. Gjatë muajve të verës ne kemi pritur se do të bie intensiteti dhe tani kemi vetëm 10 regjistrime në ditë. Kemi pasur ditë kur kemi pasur edhe më pak”, tha Ilmi Selami – zëvendësdrejtor i Entit për Statistikë.

Deri në mëngjesin e sotëm në diasporë janë regjistruar 190 mijë 177 mërgimtarë, ndërsa mërgimtarët e Zvicrës vazhdojnë të mbetën më të interesuarit për vetëregjistrim.
“Evropa vazhdon të jetë kampione në regjistrim, ndërsa na Evropë, Zvicra si shtet paraprinë para gjitha shteteve tjera, edhe para Gjermanisë, Italisë, Austrisë e kështu me radhë”, shtoi Selami.

Regjistrimi i popullsisë dhe zgjedhjet lokale do të zhvillohen në një periudhë shumë të afërt kohore, ndërsa kjo do të shfrytëzohet shumë nga partitë politike tha Selami.
“Meqë jemi në prag edhe të zgjedhjeve lokale dhe paralelisht me këtë shumë pak para duhet të mbarojë edhe procesi i regjistrimit, unë pres që goxha të politizohet tema e regjistrimit dhe kjo nuk do t’i bëje mirë shëndetit të procesit të regjistrimit”, u shpreh zëvendësdrejtori i Entit për Statistikë, Ilmi Selami.

Politikanët do të bëjnë punën e vet, por edhe në tonën, theksoi Selami, duke apeluar edhe njëherë deri të mërgata për regjistrim.
“Unë do të kisha shfrytëzuar rastin të bëj apel që mërgimtarët të mos presin ditën e fundit. Ta shfrytëzojnë rastin sa më parë të regjistrohen, bile që sot dhe me këtë kanë bërë një kontribut të rëndësishëm qytetarë kombëtarë”, potencoi Ilmi Selami – zëvendësdrejtor i Entit për Statistikë.

Procesi i regjistrimit të diasporës do të vazhdoje deri më 30 shtator. Në fund të muajit mars pikërisht kur duhej regjistruesit të dalin në terren për regjistrim, procesi me marrëveshje politike u prolongua. Ndërsa për shkak të shtyrjes së regjistrimit, Enti për Statistika do të duhet edhe njëherë nga fillimi të shpallë konkurse për regjistrues.