Menduh Thaçi dhe Sasho Mijallkov sot do të ulen në bankën e të akuzuarve për parregullsi zgjedhore


Gjykata Penale në Shkup për sot është caktuar seancë gjyqësore për rastin “Titanik 2” të Prokurorisë Speciale Publike që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013, transmeton Portalb.mk.

Në seancën e sotme për “Titanik 2” duhet të merren në pyetje dëshmitarët Boris Kondarko, Violeta Duma, Subhi Jakupi dhe Vasil Kërstev.

Në lëndën e Prokurorisë Speciale (PSP) “Titanik 2” akuzohen linderi i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe ish-anëtarët e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor, Sasho Srcev, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Sajkovski.

Gjykatësit e Gjykatës Administrative Biljana Nikodinovska – Petrovska, Lidija Ivanovska, Bllagorodna Rangellova, Aneta Xhigerova dhe Gazmend Fejzula nuk janë përfshirë në akuzë edhe pse me kërkesë të gjykatëses Verka Petkovska, Këshilli Gjyqësor ua ka marrë imunitetin, ndërkaq Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e PSP-së për akuzën me çka ata kanë qenë të përfshirë.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, penalisht janë përgjegjës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete do të jetë përgjegjës për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”. Kjo është akuza e katërt për Mijallkovin pas “Arkës”, “Target-Fortesa” dhe “Tortura”.

Nga “bombat” e publikuara të LSDM-së, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja. Gjykata e Apelit i ka pranuar dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.

Bisedat e përgjuara mund t’i dëgjoni më poshtë.