Memeti: Me rëndësi detajet për rastet pozitive

Drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik gjatë ditës vizituan Qendrën e Shëndetit Publik në Kumanovë pas regjistrimit të rasteve të para me qytetarë të infektuar nga Virusi Korona. Drejtori i ISHP-së, Shaban Memeti theksoi se çdo informacion i marrë nga personat e prekur është me rëndësi pasi që kjo do të lehtësonte identifikimin e rasteve. Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, Arif Latifi tha se tejkalimi i pandemisë mund të bëhet vetëm duke u respektuar masat e Qeverisë dhe ora policore.

Propozojmë që sot, t’i merren Strishat të gjitha kontakteve të para me raste pozitive, të njëjtat do të përcillen deri te laboratorët e Virusologjisë dhe Diagnostikës Molekulare në institute dhe do të presim për rezultatet. Me rëndësi është të merret çdo informacion, detaj, për rastet pozitive, çdo kontakt i tyre, që të mund të kemi kujdes dhe të parandalojmë këtë virus mos të marrë përmasa më të mëdha- deklaroi SHABAN MEMETI DREJTOR – INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK.

Ne shpresojmë se kjo vizitë do të na ndihmojë që më lehtë t’i zbatojmë masat e parashtruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, besoj se me këto rekomandime që na i përcjellin e pastaj ne deri tek qytetarët, situatë që u rëndua sadopak, me lehtësi dhe bashkëpunim me popullatën do të tejkalohet duke respektuar të qëndruarit në shtëpi si dhe respektimin e orës policore- tha ARIF LATIFI, DREJTOR I QENDRËS SË SHËNDETIT PUBLIK, KUMANOVË.