Besojeni ose jo, argumenti kryesor i këtyre orëve të fundit në shumicën e mediave të huaja, kryesisht amerikane, është një xhaketë e veshur nga Zonja e Parë e SHBA, Melania Trump.
Ajo kishte veshur një xhaketë ushtarake me kapuç të kompanisë Zara, me një vlerë 39 dollarë.
Por nuk ishte kjo arsyeja e revoltës së shumë personazheve të njohur në SHBA.
Në shpinën e xhaketës shkruhet: “Mua nuk më bëhet vonë vërtet, po ty?”
Ironia është se Zonja e Parë po shkonte të vizitonte një qendër të emigrantëve në Teksas.
Pikërisht ndarja e familjeve të emigrantëve është bërë kryefjalë e mediave orët e fundit.
Ndaj kjo xhaketë duket ironike.
Me dhjetëra yje të Hollivudit postuan mesazhe kundër Zonjës së Parë.
Aktorja Julia Louis-Dreyfus ishte më e thjeshtë në mesazhin e saj kundër Melania Trump: “Nuk njeh fund historia e këtyre budallenjve”.
Ashtu siç mund të mendohej, i pari që i ka dalë në mbrojtje asaj, ka qenë i shoqi, presidenti amerikan Donald Trump.
“Mbishkrimi te xhaketa e Melania i referohet Medias së Lajmeve të Rreme. Melania ka mësuar se sa të pandershëm janë ata, dhe nuk i bëhet më vonë”, shkroi ai në Twitter.