Mejreme Lumi bën thirrje tek Ambasadat dhe Presidenti: “Fushata diskredituese ndaj meje e Ahmed Kalasë, vë në rrezik fëmijët e mi”

Mejrem Lumi:

SHKRESË PËR VËNIE NË DIJENI
(në lidhje me sulmet fetare kundër Merjem Lumit)

Drejtuar; Shkëlqesisë së tij, Presidentit të Republikës, Z. Bajram Begaj
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi RAMA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tiranë
Komunitetit Musliman, Kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Z. Bujar Spahiu
Drejtori i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Kryeministri, Lejdi Dervishi
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Zyra e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

I nderuar Shkëlqësia Juaj President i Republikës së Shqipërisë Z. Bajram BEGAJ,
I Nderuar Shkëlqesia juaj Z. Ambasador i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë,
I Nderuar Z. Kryeministër

Më datë 15 korrik 2024 një i punësuar i institucionit të Komunitetit Musliman, Dorian Balliu, si Imam në Xhaminë “Mbret” në Elbasan, nisi një sulm kundër personit tim, në lidhje me bindjet e mia fetare dhe mentorimet/trajnimet që une organizoj online me persona që me vullnetin e tyre të lirë duan, shfaqin interes dhe tregojnë dashamiresinë për të mësuar më shumë për ISLAMIN. Z. Balliu më akuzoi për devijim fetar, dalje nga Islami [1]. Pas kësaj kundër meje ka nisur një fushatë histerike sulmesh e drejtuar nga i punësuari i të njëjtit Institucion, Imam Ahmed (Altin) Kalaja. Duke përdorur rrjetet sociale, personi në fjalë ka nxitur ndjekësit e tij për urrejtje, bojkot dhe ka nisur fushatë diskreditimi dhe prishje imazhi ndaj meje. Arsyet e këtij sulmi, kanë qenë bindjet dhe konkluzionet e mia personale në lidhje me disa aspekte të praktikimit të Islamit. [2],[3],[4]
Sulmet ndaj meje, janë vijuar edhe nga një tjetër i punësuar i institucionit në fjalë, Imam Shpëtim Seranaj, drejtor në marëdhëniet me xhematin në Komunitetin Musliman të Shqipërisë. Personi në fjalë më ka akuzuar se jam e sëmurë mendërisht dhe e poseduar nga xhindët. [5]
I punësuari tjetër i KMSH-së, Imam Zejd Bardhoshi në Xhaminë e Kamzës, më ka sulmuar duke më quajtur mashtruese dhe e një sekti tjetër. [6],[7].
Këto sulme janë pasuar me mijëra komente kërcënuese në rrjetet sociale, ku ndjekësit e personave në fjalë, më kanë ofenduar, kërcënuar me jetë, dhe kanë dërguar mesazhe terroriste në drejtim të personit tim.
Duke qenë se unë jam një shtetase e Republikës së Shqiperisë, dhe duke qenë se jetojmë në një shtet demokratik dhe sekular, ku institucionet kanë per detyrë ruajten e paqes dhe tolerancës fetare, te luftojnë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, kërkoj nga shkëlqesitë tuaja dhe institucioni që ju perfaqësoni, që të merrni masa urgjente, per të luftuar idetë ekstremiste dhe terroriste të individëve të lartëpëmendur, Imam Dorian Balliu, Ahmed Kalaja, Shpëtim Seranaj dhe Zejd Bardhoshi.
Në lidhje me këto sulme dhe kërcënime ndaj personit tim, unë i jam drejtuar organeve ligjzbatuese dhe kam bërë kallzim kundër Ahmed Kalasë dhe disa simendimtarëve të tij. Këtë letër që unë po u nis ju, zyrës së Presidentit të Republikës, Kryeministrit për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, koordinatorit të Ambasadës Amerikane për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që monitorojnë elementet e dhunshme dhe terroriste në rajonin tonë. Sot ndihem akoma më e pasigurt në vendin tim demokratik per faktin qe në vendin në të cilin shkova të trokas në lidhje me Ahmet (Altin)Kalane, Dorian Balliun, Shpetim Seranajn dhe Zejt Bardhoshin, më tregojnë që këta persona kanë lidhje të fuqishme me njerëz në prokurori dhe në institucionet Shtetërore për vetë pozicionimin që kanë krah komunitetit musliman dhe të ardhurave që kanë në dorë prej komunitetit që mund të zgjidhin çdo gjë si me miq ashtu dhe në rrugë të tjera. Kjo më ka frikësuar pafund sepse unë jam nënë e vetme me 4- fëmijet e mi të mitur të cilët janë të frikësuar, po ashtu edhe unë për ta. Ndërkohë, kërkoj të jeni vigjilent ndaj meje, unë jam e vetëdijshme çfarë përcjelle për vajzat e komunitetit musliman, çfarë parimesh përcjell tek ato, parime si Islami i vertetë, feja e vertetë e dashurise dhe dhembshurisë për njeriun.
U BËJ THIRRJE TË GJITHËVE JU INSTITUCIONEVE.
KJO SHKRESË KA NË THELB JETËN TIME DHE TË FËMIJËVE TË MI, PO ASHTU DHE MOSPRISHJEN E HARMONISË FETARE NË VEND. EKSTREMIZIMI I GJUHËS SË PËRDORUR NDAJ MEJE, NUK ËSHTË GJUHA E MUSLIMANËVE TE VERTETË POR E NJERËZVE QË INTERPRETOJNË FENË ISLAME SIPAS INTERESAVE NGUSHTËSISHT PERSONALE.
NË DUART TUAJ ËSHTË JETA IME DHE E FËMIJEVE TË MI!

Me respekt,
Merjem Lumi
Teologe Islame