Mehmeti: Ku janë 630 mijë votues shqiptarë dhe votat e tyre në Maqedoninë Veriore?


Abdulla Mehmeti

Për gishtin që duhet ta vëmë në mendje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore

KU JANË 630 MIJË VOTUES SHQIPTARË DHE VOTAT E TYRE?
Edhe përkundër faktit se, afërsisht 1/3 e banorëve shqiptarë janë larguar nga Maqedonia Veriore gjatë dy dekadave të fundit, nga gjithsej 630 mijë votues shqiptarë sa duhet të ketë gjithsej, duhet të kenë mbetur afërsisht 420 mijë votues prej tyre, jo vetëm 300 mijë, sa rezulton të jetë numri i përgjithshëm i votuesve shqiptarë sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, para këtyre zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen më 15 korrik të këtij viti.
Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, organet e pushtetit dhe organizatat ndërkombëtare për mbikëqyrjen e rregullsisë së zgjedhjeve duhet të japin përgjigje në pyetjen e mëposhtme, para se të tallen me inteligjencën e qytetarëve shqiptarë, kinse mbahen zgjedhje të lira e demokratike në këtë shtet, duke përhapur edhe më tej mjegull propagande e mashtrimi mbi mendjet e mpira të këtyre qytetarëve të mashtruar e masakruar fizikisht e mendërisht me dekada të tëra.

Sa për sqarim, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, të gjitha partitë politike të shqiptarëve së bashku kanë fituar gjithsej 211.892 vota, ndërsa besohet që edhe mbi 70 mijë qytetarë të tjerë shqiptarë ka votuar për koalicionin e LSDM-së dhe një numër më i vogël shqiptarësh edhe për koalicionin tjetër të partive maqedonase dhe të bashkësive etnike pakicë, të udhëhequr nga OBRM-PDUKM (VMRO), që na çon në përfundimin se trupi i përgjithshëm votues aktual i shqiptarëve, sipas të dhënave zyrtare, sillet diku rreth 300 mijë votues. Por kjo nuk është gjendja e reale për numrin e përgjithshëm të banorëve dhe numrin e votuesve shqiptarë në këtë shtet, prandaj i pyesim publikisht të gjithë faktorët që merren me këtë çështje:
KU JANË VOTUESIT SHQIPTARË DHE VOTAT E TYRE?

Sipas numrit real të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 35-40% të banorëve në Maqedoninë Veriore dhe sipas kësaj duhet të ketë mbi 630 mijë votues shqiptarë në Listën e përgjithshme të votuesve.
Si ka mundësi që të ketë 35 – 40% shqiptarë në këtë shtet, sipas numrit të fëmijëve të lindur, numrit të çifteve të kurorëzuar, numrit të nxënësve në shkollat fillore dhe të dhënave të tjera, e të mos ketë numër dhe përqindje të ngjashme në numrin e përgjithshëm të banorëve dhe numrin e votuesve shqiptarë në këtë shtet?!
Edhe sipas të dhënave zyrtare (të falsifikuara dhe joreale) për numrin e popullsisë (2002), duhet të ketë mbi 450 mijë votues shqiptarë në Listën e përgjithshme të votuesve, përkatësisht nga 1 milion e 800 mijë votues, sa thuhet zyrtarisht se ka në Maqedoninë Veriore, mbi 26% duhet të jenë shqiptarë. Pra, duhet të ketë së paku 450 mijë votues shqiptarë, ose, sipas përqindjes së qytetarëve që kanë dalë në votime më 2016, afër 1 milion e 2 mijë votues, së paku 300 mijë votues duhet të kenë qenë shqiptarë dhe jo 211.892 votues, sa vota kanë fituar të gjitha partitë politike të shqiptarëve së bashku në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016.
Kush duhet të kujdeset dhe të jep llogari për këtë falsifikim dhe mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë për dekada me radhë, në të gjitha ciklet zgjedhore, nga viti 1990 e deri më sot?
Çfarë bëjnë partitë politike të shqiptarëve nëse nuk dinë t’i numërojnë banorët dhe votuesit, nëse nuk janë të afta ta mbrojnë votën shqiptare, votën e tyre?

Cili është funksioni dhe dobia e partive politike të shqiptarëve nëse nuk janë të afta ta numërojnë, mbrojnë, mobilizojnë, orientojnë, efektuojnë dhe mirëpërdorin votën e qytetarëve shqiptarë, në emrin e të cilëve thirren, bëjnë karrierë dhe aktrojnë pushtet në Maqedoninë Veriore?
Kjo është përgjigja që duhet ta japin partitë politike të shqiptarëve (dhe faktorë të tjerë), jo të bëjnë sikur merren me politika të mëdha, me çështjen globale të integrimeve euroatlantike dhe me çështjen kinse kombëtare, të cilën e kanë shndërruan në pazar të lirë politik!
Për metodologjinë dhe teknikat e falsifikimit që përdorin organet e pushtetit, sidomos Enti shtetëror i statistikave, Këshilli qendror i zgjedhjeve etj., për numrin e banorëve dhe numrin e votuesve, kemi publikuar të dhëna e dëshmi për vite me radhë, por këtë nuk mjafton ta kuptojnë vetëm lexuesit dhe opinioni, por këtë së pari duhet ta kuptojnë drejtuesit e pushtetit dhe të partive politike të shqiptarëve, të cilët siç duket janë të dresuar dhe paguar për konstruktimin dhe heshtjen e këtij mashtrimi të madh në dëm të shqiptarëve dhe interesit të tyre kombëtar.

Deri kur do të ndodhë kjo, fatmirësisht nuk varet vetëm prej tyre, por varet edhe nga niveli i vetëdijesimit të qytetarëve shqiptarë, përkatësisht i votuesve, të cilët duhet ta vënë gishtin në mendje para se të vendosin për cilat parti politike dhe për cilët kandidatë, përfaqësues të tyre në pushtet, do të votojnë kësaj radhe dhe në të ardhmen.