Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar për rastin në Pejë, ku një e moshuar para tri ditësh është sulmuar fizikisht nga një infermiere në qendrën “Orenda”, derisa infermieret e tjera qeshin dhe e inciziojnë aktin mizor.
“Sot ishim dëshmitarë të një trajtimi të tmerrshëm ndaj të moshuarës nga ana e disa infermiereve të cilat do të duhej të udhëhiqeshin nga fjalët e Hipokratit, punonjëse shëndetësore të cilat në momentin e fillimit të ushtrimit të profesionit të tyre janë betuar se do i kenë ato fjalë si udhërrëfyes, por për fat të keq vërtetuam atë që disaherë na është përplasur para fytyre në testin e Pisas se nxënësit tanë nuk kuptojnë atë çfarë lexojnë, dhe më keq akoma, këtë mund ta ngrisim në nivel tjetër, ata nxënës bëhen edhe studentë që nëse në një fazë arrijnë të kuptojnë tekstet, nuk janë duke kuptuar rëndësinë e profesioneve që zgjedhin dhe peshën e veprimeve të tyre.”, ka shkruar ai.
E moshuara është nënë e dëshmorit, Taulant Nura, për çka Mehaj ka thënë se “Taulanti teksa po luftonte nuk e kishte menduar se një ditë nëna e tij do të keqtrajtohej në këtë mënyrë”.
Postimi i plotë:
Sot ishim dëshmitarë të një trajtimi të tmerrshëm ndaj të moshuarës nga ana e disa infermiereve të cilat do të duhej të udhëhiqeshin nga fjalët e Hipokratit, punonjëse shëndetësore të cilat në momentin e fillimit të ushtrimit të profesionit të tyre janë betuar se do i kenë ato fjalë si udhërrëfyes, por për fat të keq vërtetuam atë që disaherë na është përplasur para fytyre në testin e Pisas se nxënësit tanë nuk kuptojnë atë çfarë lexojnë, dhe më keq akoma, këtë mund ta ngrisim në nivel tjetër, ata nxënës bëhen edhe studentë që nëse në një fazë arrijnë të kuptojnë tekstet, nuk janë duke kuptuar rëndësinë e profesioneve që zgjedhin dhe peshën e veprimeve të tyre.
Për fat të keq, ajo që pamë sot është që e keqja vjen e maskuar në forma të ndryshme, e përtej imagjinatës sonë, arriti të zë vend maskuar edhe në mantelin më fisnik, infermieres që verbërisht çdokush mund t’ia besonte jetën e prindërve e fëmijëve, pa qenë i vetdijshëm se ekzistojnë të tillë persona që nuk e kanë aspak problem ushtrimin e dhunës të pakursyer ndaj kujdo, e shumëfish më rëndë përjetohet kjo ngjarje kur kuptojmë se dhuna po ushtrohet ndaj një nëne të dëshmorit që dha jetën që këta rinj të ushtrojnë të lirë profesionin e tyre.
Taulanti teksa po luftonte nuk e kishte menduar se një ditë nëna e tij do të keqtrajtohej në këtë mënyrë, se një i ri nuk do të dinte vlerën e lirisë, nuk do të njihte respektin ndaj të moshuarve dhe obligimin e shumëfisht që e kemi t’i shërbejmë atdheut, qytetarëve tanë, e mbi të gjitha nënave heroike që rritën burra e gra trima për t’ia falë atdheut.
Urgjentisht duhet hetuar e dënuar ky rast, jo vetëm protagonistja kryesore, por dhe të gjithë të tjerët që bëjnë sehir përderisa ushtrohet dhuna, që e përjetojnë këtë situatë si një shfaqje teatrale të zhanrit komedi nga e cila duhet të ndjejnë kënaqësi.
Për fund, të lexohet e rilexohet kjo fjali e betimit të Hipokratit që ngërthen atë që për qytetarët e këtij vendi personifikon një mjek, dhe ndikimin që kanë tek ne:
“Do të di se në mjekësi, sikurse ka shkencë, ka dhe art, dhe që ngrohtësia, simpatia dhe mirëkuptimi mund të tejkalojnë thikën e kirurgut ose ilaçin e kimistit”.