Mehaj ia ofron mundësinë SHBA-së krijimin e një baze të përhershme të ushtrisë së saj në Kosovë

Me qëllim të avancimit të partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ka ofruar nën-sekretarit të Departamentit të Mbrojtjes në Pentagon, Colin Kahl, mundësinë për krijimin e një baze ushtarake amerikane të përhershme në Kosovë.
Ai ka thënë se kjo do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nën-Sekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.”

“Nga ana e tij, Nën-Sekretari Kahl ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke më falënderuar për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA”, thuhet në statusin e Mehajt në Facebook.
Ai theksoi se ka njoftuar Departamentin amerikan se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet e Qeverisë.

“Ndër të tjera, Nën -Sekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare. Nënsekretari Kahl, gjithashtu, ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale”, thuhet tutje.