Reis Ulemaja Shaqir ef.Fetahu thotë se BFI ka ngritur shqetësimin me situatën e krijuar, ndërsa përsërit kërkesën për akreditimin dhe zyrtarizimin e Shkollës së Mesme Islame Medreseja “Isa Beu” si shkollë publike. “BFI edhe në të kaluarën ka ndërmarrë nisma dhe ka krijuar grupe punuese, por që fatkeqësisht, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë arritur të finalizohen dhe konkretizohen marrëveshjet. Që nga ardhja jonë në krye të BFI-së, akreditimi i Medresesë ka qenë prioriteti i parë i BFI-së”, thotë Fetahu.
Medreseja Islame “ISA BEU” vazhdon të ngelet e diskr*iminuar dhe jashtë listës së shkollave të mesme publike në vend. Maturantëve të sapodiplomuar në këtë shkollë ju mohohet e drejta për tu regjistruar në universitet publike, pasi sipas autoriteteve arsimore, kjo shkollë akoma nuk i plotëson kriteret dhe kushtet ligjore, pra akredituese sikurse shkollat e mesme të tjera. Kjo situatë e ngatërruar ndër vite po bre*ngos nxënësit e medresesë. Ata, edhe për këtë vit akademik po hasin probleme nga më të ndryshmet, sidomos në mos pranimin e tyre në universitetet e vendit. Arsyet mbeten të njëjta – diplomat mbeten të papranuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Rasti i fundit është me nxënësin Harbin Behadini, i cili sapo ka diplomuar në Medrese, derisa rrëfen problematikat që ka hasur në dorëzimin e dokumentacioneve për regjistrim në universitetet publike. Sipas Behadinit, arsyet për mospranimin e tij në universitet janë mos akreditimi i medresesë dhe njohja e saj si shkollë legale. “Pasi përfundova medresenë ‘ISA BEU’, unë kisha dëshirë që fakultetin të vazhdojë mjekësi, paraprakisht kisha disa informacione që në Universitetin e ‘Shën Kirili dhe Metodi’t nuk pranohet diploma e medresesë edhe pse shumë kisha dëshirë të studioja në këtë drejtim.
Megjithatë, në fund hoqa dorë nga ky universitet, më pas vendosa të aplikoj në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Aplikova, por përgjigja edhe atje ishte negative, shkaku që nuk më pranohet diploma dhe më thoshin që medreseja nuk është shkollë e akredituar, pra është shkollë e jashtëligjshme”, deklaron Behadini. Ai po ashtu thotë se ajo që më tepër e dëshpëron atë dhe shumë nxënës të tjerë është mundi që ka dhënë për katër vite në medrese për të arritur suksesin e mundshëm në këtë drejtim fetar, ndërsa në fund rezulton që të mos mund të regjistrohet në fakultet.
Për këtë situatë të informuar janë edhe Bashkësia Fetare Islame, si dhe drejtori i Medresesë “ISA BEU”. Reis Ulemaja i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef.Fetahu thotë se BFI ka ngritur shqetësimin me situatën e krijuar, ndërsa përsërit kërkesën për akreditimin dhe zyrtarizimin e Shkollës së Mesme Islame Medreseja “Isa Beu” si shkollë publike. “Jemi të njoftuar me rastet e refuzimit të maturantëve tanë dhe jemi angazhuar edhe më shumë në procesin që ka disa muaj që e kemi filluar. Akreditimi i Medresesë është një problem i kamotshëm me të cilin ballafaqohet Bashkësia Fetare Islame, më saktësisht që nga themelimi i Medresesë në vitin 1984.
Doemos të theksojmë se BFI edhe në të kaluarën ka ndërmarrë nisma dhe ka krijuar grupe punuese, por që fatkeqësisht, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë arritur të finalizohen dhe konkretizohen marrëveshjet. Që nga ardhja jonë në krye të BFI-së, akreditimi i Medresesë ka qenë prioriteti i parë i BFI-së. Është duke u punuar intensivisht dhe urojmë që ky proces të përfundojë sa më shpejt”, thotë Shaqiri.
Ndërsa drejtori Medresesë, Ibrahim Idrizi, përmend se ky problem është i kamotshëm dhe si pasojë e tendencave dhe faktorit politik, kjo çështje ka ngelur pezull dhe pa asnjë epilog konkret edhe pse kërkesat dhe përpilimi i organizimit mësimor në këtë institucion edukativo-arsimor është rregulluar çdoherë në përputhje sikurse është kërkuar nga MASH-i. “Nga vitet e kaluara, ne ligjërisht kemi bërë përpilimin e ndryshimit të plan-programit apo reduktimin e lëndëve në medrese.
Qëndrimet e pushteteve vitet e kaluara ishin se në bazë të Ligjit për bashkësitë fetare, këto shkolla mund të themelohen dhe të njihen si shkolla të barabarta me ato publike, por ja që ne si Medrese – padrejtësisht kemi ngelur të paakredituar edhe pse gjithmonë kemi qenë transparent, kemi pasur gjithmonë pëlqimin e Komisionit për bashkësi fetare dhe e kemi përshtatur plan-programin me kërkesat e MASH-it. Është për të ardhur keq që kjo shkollë me virtyte kaq të larta, ngelet me status as privat dhe as në të zezë, por thjesht si institucion për organizimin e BFI-së. Ligji për arsimin e shkollave të mesme e përfshiu këtë gjë, por akoma nuk u miratua, ndërkaq BFI ka krijuar Komision adekuat mbi këtë çështje e në të cilin punohet me MASH-in”, thotë Idrizi.
Në ndërkohë, Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut nga viti i kaluar ka sjellë një vendim për mospranimin dhe largimin e studentëve që kanë kryer Medresenë “ISA BEU”. Në vendimin e MASH-it të nënshkruar nga ministrja Milla Carovska, theksohet se nxënësit e kësaj shkolle të mesme fetare nuk e kanë kryer Maturën Shtetërore dhe bazuar në ligjet në fuqi, të njëjtit nuk mund të regjistrohen në universitete. Ky vendim i marrë ka sjellë shumë pakënaqësi në medrese, por edhe tek prindërit e nxënësve, të cilët nuk mund të regjistrohen në universitetet publike. Deri para dy vitesh, edhe pse ishte e ndaluar me ligj, disa universitete publike megjithatë i pranonin diplomat e Medresesë dhe i regjistronin si studentë maturantët e “Isa Beut”.