Mediet greke shkruajnë se Zaev dhe Cipras kërkojnë zgjidhje pa mbështetjen e opozitës


Mediat greke sot kanë shkruar një sërë tekstesh me titujt se kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras kërkojnë zgjidhje për çështjen e emrit pa e pyetur opozitën, njofton Portalb.mk.

Zaev dje tha se , për bisedimet dhe marrëveshjen rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë ka probeleme të caktuara teknike të cilat duhet që të zgjidhen nga të dyja palët dhe se sa të mënjanohen të njëjtat do të ketë bisedë telefonike me kryeministrit grek, Cipras.

“E dini unë që nga fillimi jam optimist, nuk do të doja të jap detaje. Besoj që do të gjejmë zgjidhje, por sa të mënjanohen këto çështje teknike menjëherë do të ndodh biseda telefonike dhe besoj që në afat sa më të shpejtë të mundshëm do të publikojmë gjithçka që jemi marrë vesh, si do të procesuohen procedurat e mëtutjeshme, që të arrijmë në kohë përpara Këshillit të Evropës për shkak se atëherë do të vendos për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë. Kështu që ditët e ardhshme jemi maksimalisht të fokusuar dhe përkushtuar, po punohet për detajet që janë të rëndësishme”, tha Zaev.

Ai konfirmoi se kur të arrihet marrëveshje për emrin, e njëjta do të nënshkruhet në Prespë.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE vazhdon që të jetë në qëndrimin se nuk do të përkrahë zgjidhje me ndryshim të Kushtetutës, ndërkaq gjatë mitingut të mbrëmshëm, kryetari Hristijan Mickoski tha se bisedimet po bëhen në mënyrë jo-transparente dhe të fshehtë, ndërkaq informatat për rrjedhën e bisedimeve vijnë nga mediat greke.

“Dikush i cili është në pushtet luan me dinjitetin dhe e shet lirë edhe pse është e vlefshme. Zaev deklaronte se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës dhe se do ta mbrojë identitetin. Ashtu siç kalon koha, tani thotë se ndryshimi i Kushtetutës nuk është ndryshim i identitetit. Janë marrë vesh për ndryshim të emrit dhe të gjithë do ta emërojnë me emër të ri”, tha Mickoski.