Mediat serbe: Nëse Prishtina shkel marrëveshjen e Uashingtonit, pesë vende janë gati të tërheqin njohjen

Serbia ka garanci të prerë nga pesë vende se janë të gatshme të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruajnë mediat e Beogradit. Nëse Prishtina shkel marrëveshjen sipas së cilës duhet të përmbahet nga aplikimi për pranim në organizatat ndërkombëtare, Beogradi do t’u kërkojë atyre vendeve të aktivizojnë procesin e tërheqjes së njohjes, njoftoi Vecernje Novosti, duke cituar burime në Qeverinë e Serbisë,

Gazeta kujtoi se me marrëveshjen e Uashingtonit nga shtatori i vitit të kaluar, Beogradi dhe Prishtina u zotuan për një moratorium një vjeçar mbi fushatën për tërheqjen e njohjes.. e po ashtu mos aplikim në një nga organizatat ndërkombëtare.

Presidenti serb Aleksandar Vuqiç tha më herët se ai “ka informacion” se shqiptarët duan të bashkohen me Kosovën në Konferencën e Gjykatave Ndërkombëtare, duke deklaruar se në rast se kjo do të ndodhë, Serbia do të “detyrohet të përgjigjet në mënyrën që bën një shtet serioz dhe i përgjegjshëm”.

“Dhe ata nuk do ta pëlqejnë aspak përgjigjen. Unë nuk besoj se ata do të jenë të lumtur me tërheqjet e reja të njohjes dhe tani mund t’u them atyre se do të ketë,” tha Vuqiç.