Mediat ruse: Maqedonia do të lejojë Sergej Lavrov të aterojë në Shkup

Maqedonia ka vendosur të lejojë uljen e avionit të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Shkup, gjë që do t’i lejojë Lavrovit të marrë pjesë në një ngjarje ndërkombëtare, njofton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Sipas njoftimit, afati do të jetë i vlefshëm nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, kur Maqedonia do të jetë nikoqire e takimit të ministrave të jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup.

Qeveria maqedonase ka bërë një shtesë të duhur në rezolutën me të cilën është vendosur ndalimi i fluturimeve të avionëve rusë, duke thënë se ky hap është në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian. Takimi ministror i OSBE-së do të mbahet në Shkup nga 30 nëntori deri më 1 dhjetor.

Ministrat e jashtëm të OSBE-së pritet të zgjedhin kryesuesin. Shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, më 14 nëntor deklaroi se ende nuk është zgjidhur çështja e pranisë së Lavrovit në takim. Me atë rast ai kujtoi se diplomati i parë rus është nën sanksionet e BE-së.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grusko tha më herët se Moska po përgatitej për takimin dhe këmbënguli se takimi ministror mund të ishte i suksesshëm vetëm nëse sigurohet barazia për të gjitha delegacionet.

Në nëntor të vitit të kaluar, Polonia, në atë kohë kryetar i OSBE-së, i mohoi delegacionit rus të kryesuar nga Lavrov mundësinë për të marrë pjesë në takimin ministror të OSBE-së në Lodz.

Ministria e Punëve të Jashtme ruse kritikoi ashpër veprimet e Varshavës si një veprim të paprecedentë, provokues dhe në kundërshtim me statusin e Polonisë si një vend kryesues. Delegacioni rus udhëhiqej nga Përfaqësuesi i Përhershëm në OSBE, Aleksandar Lukashevich.