Mediat bullgare: Zaev në Sofje ka propozuar disa kompromise që përfshinë dhe gjuhën. Pretendimet e këtilla hidhen poshtë nga Qeveria

Qeveria, përkundër pretendimeve të palës bullgare, nuk pranon të ketë prezantuar para autoriteteve në Sofje propozime konkrete për zgjidhjen e kontestit. Një ditë pasi delegacioni i Drejtuar nga Zoran Zaev takoi krerët shtetëror dhe liderët politik në Bullgari, nga ekzekutivi thonë se vizita ishte për përparimin e dialogut dhe bashkëpunimit por mbi bazën e propozimit portugal.

Ky hap pozitiv na mundësoi të bisedojmë për mundësitë e zgjidhjeve për të cilat propozimi portugal është bazë e mirë. Zgjidhjet duhet të mbajnë llogari për të dy anët, gjegjësisht t’i adresojnë çështjet që janë të rëndësishme edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Bullgarinë. Nuk janë të vërteta spekulimet për gjoja formulime për zgjidhje të cilat janë publikuar në disa media – njoftojnë nga Qeveria.

Ky qëndrim është në kundërshtim me deklaratën e kryeministrin bullgar Stefan Janev i cili në prani të Zaevit para mediave deklaroi se Shkupi kishte shkuar në takim me propozim të cilin do ta shqyrtojnë. Mediat bullgare gjatë ditës raportuar për pesë formulime të cilat Zaevi ja ka propozuar palës bullgare për zgjidhje. Sipas burimeve të “24 çasa”, një formulim për kontestin rreth gjuhës parasheh që bullgarët dhe maqedonasit flasin njëkohësisht të njëjtën gjuhë por edhe në gjuhë të ndryshme, të cilat njihen botërisht. Në këtë formulim parashihet edhe deklarata se të dy popujt janë vëllezër.

Gazeta “Trud”, shkruan se Zaev ka kushtëzuar me propozimin e një harte rrugore. Media në fjalë informon se “Në takim me Janev, Zaevi ka premtuar se nëse në Bruksel më 22 qershor Bullgaria mbështet fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ai do të bëjë kompromis për temat historike si dhe do të përshpejtojë projektin hekurudhor Gueshevë-Shkup”.

Mediat në shtetin fqinj më tej raportojnë se është i paqartë vazhdimi i punës së komisionit të përbashkët. Bashkëkryesuesi i komisionit Angell Dimitrov thotë për mediat në Sofje se kjo çështje dje nuk është trajtuar shumë sepse në komision nuk është arritur përparim.

Me kërkesë të kolegëve tanë, takimi ynë i ardhshëm do të jetë në tetor. Pothuajse asgjë nuk është përmbushur nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë, kështu që unë supozoj se Shkupi do të bëjë përpjekje për të treguar dëshirë për të bërë disa përparime në fusha të tjera si në nfrastrukturë, etj. Për të gjitha klauzolat e kontratës, ngecja është e pabesueshme. Unë nuk e shoh se si do të ndodhë katarsisi i nevojshëm për shkencën historike dhe të gjithë shoqërinë, nëse nuk ka përgjegjësi politike për të, por gjithashtu përgjegjësi të shkencës – tha Angell Dimitrov, Komisioni i përbashkët Shkup-Sofje.

Kryeministri Zaev ndërkohë gjatë qëndrimit në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Vjenë dha shpresa për një marrëveshje të shpejtë.
Dje në Sofje me kryeministrin dhe me Presidentin e Bullgarisë, kolegët Janev dhe Radev bëmë një hap të madh evropian. E kthejmë besimin mes dy vendeve dhe mes popujve tanë shumë të afërt, do të thoja vllezër. Dialogu miqësor maqedonas-bullgar është përsëri në fuqi.

Besoj se përmes këtij procesi, Ballkani Perëndimor do t’i sjellë së shpejti Evropës një lajm të ri pozitiv dhe kërkoj mbështetjen e të gjithë juve në këtë rrugë -tha Zoran Zaev, kryeministër.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë të mërkurën njoftoi se pozita e tyre sa i takon mbajtjes së konferencës ndërqeveritare mbetet e pandryshuar sepse korniza negociuese duhet të përmbajë garanca për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017 të cilat për momentin nuk ekzistojnë.