Media dhe informimi i drejtë në kohë krize

Shkruan: Abit Hoxha

Lajmet janë funksioni bazë i medias. Media duhet të ndihmoj audiencën të merr vendime të mirëinformuara dhe në bazë të informacioneve të verifikuara dhe të verifikueshme nga vetë audienca. Në ngjarjet e ditëve të sotme, kjo po vështirësohet deri në pamundësi për t’u informuar drejtë dhe ‘fer’. Su*lmi ndaj Ukrainës dhe lu*fta hibride që Federata Ruse bën në Ukrainë na dëshmon këtë më së miri.

Krijimi i narrativave strategjike nga media pro-ruse nisi diku në fillim të vitit 2014, kur u zhvilluan fërkimet e para mes Ukrainës dhe Rusisë në regjionin e Krimesë. Media sociale vërshoj nga llogari të orkestruara që postonin lajme të rreme duke ia atribuar suksesin dhe ruajtjen e të Drejtës Ndërkombëtare Federatës Ruse, dhe nominalisht udhëheqësit Vladimir Putin. Krijimi i këtyre narrativave strategjike nuk ishin vetëm në funksion të krijimit të opinionit në terren ku lu*fta speciale e Federatës Ruse pati për qëllim mobilizimin e përkrahjes dhe dehumanizimin e Ukrainasve si fashistë dhe nazistë. Kjo lu*ftë speciale u tejzgjat edhe në media ndërkombëtare që ishin prokurë e politikës së jashtme ruse dhe transmetonin lajme gjysmë të vërteta në shtetet e Bashkimit Europian.

Ndalimi i këtyre kanaleve të transmetimit (si Sputnik dhe RT) tanimë u bë edhe në Kosovë e në Bashkimin Europian, por vetëm pas afër një dekade të këtyre kanaleve prokurë të Federatës Ruse që dezinformuan publikun.

Mënyra e plasimit të narrativave strategjike nga këto kanale është e veçantë dhe fare e thjeshtë. Që nga viti 2014, informatat u morën nga burime të njëjta që në fillim nuk ishin edhe kredibile por me kalimin e kohës ato burime u bënë të popullarizuara dhe rrjedhimisht me një rëndësi të vogël në shkallën e besimit. Pra, në vitin 2014, një kapiten në ushtrinë ruse që përdorej si burim informacioni në media dhe platforma sociale (blogje, media sociale dhe whatsapp/telegram kanale) deri më tani u ngrit në rankim ushtarak për t’i shtuar rëndësinë dhe besueshmërinë.

Përderisa në Bashkimin Europian, qeveritë ndërrojnë afërsisht çdo katër vite, Vladimir Putin qëndron në pushtet për rreth 20 vitet e fundit dhe mund të bëj plane afatgjata ndërsa planet e Bashkimit Europian, në rastin më të mirë, zgjasin rreth katër vite. Prandaj, edhe kundër-reaksioni i Bashkimit Europian për lu*ftën në Ukrainë është i vobektë edhe në fushën e informacionit dhe lu*ftimit të lajmeve të rreme.

Kosova gjithashtu nuk është imune ndaj lajmeve të rreme në rastin e su*lmit në Ukrainë. Kjo lu*ftë, nxori në pah edhe njëherë prokurat e interesave politike ndërkombëtare dhe vendore. Këta të parët, pas informacioneve të nivelit të parë- si inteligjencë e papërpunuar se Serbia do të filloj provokimet në veri të Kosovës apo si politika të brendshme paniku për mungesë të artikujve ushqimorë që u manifestuan me ngritje marramendëse të çmimeve.

Pra, propaganda dhe keqinformimi nuk kanë për qëllim të na bëjnë të besojmë në lajmet që janë tërësisht të rreme- ta zëmë sikur ato në televizione tona para disa vitesh se një lepur, delfin apo mëz po fluturonte në një fushë të Lipjanit por kanë për qëllim të na ulin besueshmërinë në lajmet e vërteta që kanë të bëjnë me informimin e drejtë dhe funksionin që media ka në demokraci- të ndihmoj publikun të merr vendime të mirëinformuara me informacione të verifikuara dhe verifikueshme.

(Autori është njohës i medias, kulturës së gazetarëve dhe konfliktit. Hulumton prodhimin e lajmeve në konflikte dhe ballafaqimin me të kaluarën).