Me slloganin “T’du qashtu qysh je”, sot në Prishtinë hapet Java e Krenarisë

“Prishtina Pride” përmes një komunikate drejtuar mediave ka njoftuar se sot në Prishtinë hapet Java e Krenarisë, ku pjesëmarrës do të jenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.Në komunikatë thuhet se Java e Krenarisë synon të ngrisë vetëdijen kolektive mbi orientimet seksuale dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTQI+ në Kosovë.

“Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTQI+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTQI+ në Kosovë”.Në njoftim thuhet se, për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në mënyrë sistematike, mospranimit e përjashtimit nga familja, shoqëria dhe shteti, personat LGBTQI+ përballen me një nivel të lartë të ankthit, stresit e depresionit në baza ditore.
“Si pasojë e krejt kësaj, mirëqenia emocionale, psikike dhe fizike është në gjendje shqetësuese. Shëndeti mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mbështetja e përhershme profesionale si dhe dashuria e pakushtëzume është më se e nevojshme për personat LGBTQI+ në Kosovë.

Tutje, shteti vazhdon të mos ofrojë mbështetje institucionale adekuate për personat LGBTQI+ duke iu larguar përgjegjësisë që e ka në lidhje me këtë çështje dhe këtë grup shoqëror”, vijon komunikata.
“Për të mbështetur të gjithë që janë duke u përballur me nivele të larta të stresit, ankthit, depresionit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor, edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë, do të fokusohet në shëndetin mendor të personave LGBTQI+.Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor”, bëhet e ditur në njoftim.
Në fund të reagimit thuhet se, mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTQI+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikbërjes tonë. Kjo Javë e Krenarisë na rikujton që jetët e personave LGBTQI+ janë të rëndësishme.