Më shumë burra se gra, s’ka barazi gjinore te kandidatët për kryetar komunash

Pjesëmarrja e grave në zgjedhjet lokale të tetorit, veçanërisht kur bëhet fjalë për kandidate për kryetare komune nga partitë shqiptare është shumë i ulët. Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me 35 lista për këshilltarë dhe 19 kandidatë për kryetar komune, mes tyre vetëm Teuta Arifi është kandidate grua për të udhëhequr me Tetovën. Por nga partia e Ahmetit arsyetohen me numrin e grave për bartëse të listave zgjedhore.

“Ju njoftojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me gjithsej 35 Lista të kandidatëve për Këshilla Komunal, ndërsa me kandidat për kryetar do të garojë në gjithsej 19 komuna. Në gjashtë komuna, si në Strugë, Çair, Shuto Orizare, Manastir, Mavrovë dhe Kumanovë, bartëse të Listave për në Këshill komunal do të jenë nga gjinia femërore”, tha Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike Shqiptare Fatmire Isaku, gjatë një konference në temën “Gratë në politikën e jashtme” theksoi se në zgjedhjet lokale që vijojnë ka numër minimal të kandidateve për kryetare të komuanve. Edhe PDSH ka vetëm një grua për kryetare nga 14 kandidatë, e ajo është Renata Elezi për Gostivarin.

“Nga numri i përgjithshëm mbi 260, numri i grave është 19, përfaqësimi është i ulët megjithëse kemi kuota të caktuara por nuk kemi për të qenë kryetare komune, kështu që ne kemi pas kandidatë kemi pas bartës liste, megjithëse tema është e lidhur me temën aktuale që e bisedojmë në konferencë, ndoshta sa i përket zgjedhjeve lokale do të kemi një rast tjetër ku mund të bashkëbisedojmë, mirëpo përfaqësimi i grave nuk është ai që duhet të jetë, numri është jashtëzakonisht i vogël”, u shpreh Fatmire Isaku nga PDSH.
Nga 15 kandidatura koalicioni ASH-AAA nuk ka asnjë grua. Njëjtë edhe BESA, të gjithë kandidatët i ka burra.