Me sa gradë do të ngrohen klasat këtë dimër?

A ka gjasa që nga nëntori në shkolla të rikthehet mësimi online, me qëllim që të kursehet rrymë? Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se:

“Në rrethana të jashtëzakonshme, shkollat duhet të mbyllen të fundit, e në qoftë se ndodh një gjë e tillë, të hapen të para. Situata do të ndiqet dhe opinioni publik do të informohet për çdo vendim që ka të bëjë me mësimin në shkolla.”-thonë nga Ministria E Arsimit Dhe Shkencës

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, thotë se në qoftë se Ministria e Arsimit ose komunat propozojnë mësimin online, atëherë do të shqyrtohet edhe kjo mundësi. Gjithashtu, po mendohet edhe opsioni për kufizim të temperaturës për ngrohjen e klasave.

E parashtruam këtë pyetje, pasi morëm informacione nga disa të punësuar në arsim, të cilët deshën të mbetet anonim, se u ishte thënë se nuk përjashtohet mundësia që nga nëntori nxënësit të vijojnë mësim online. Sezoni i ngrohjes fillon pas një muaji, gjegjësisht më 15 tetor.