Me “rent a car” nga Shkupi transportonin drogë, arrestohen dy persona në rrugën Dibër-Strugë

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme, respektivisht rreth orës 21:30, në rrugën rajonale Dibër – Strugë, janë arrestuar dy persona nga Prilepi, pasi të njëjtit janë kapur duke transportuar substanca narkotike. Sipas njoftimit të policisë, të njëjtit transportin po e bënin me veturë të marrë me qira.

Janë privuar nga liria B.S.(34) dhe D.N.(36), të dy nga Prilepi. Gjatë kontrollit në automjetin “Peugeot” me targa të Shkupit të një kompanie “rent a car”, e cila drejtohej nga B.S., dhe pasagjer ishte D.N., u gjet një qese me mbi tre kilogramë marihuanë dhe një pushkë automatike me kornizë bosh”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.