Me paratë e Haxhit po e zgjeron rrugën e fshatit (VIDEO)

Qamil Hoxha nga fshati Rashçe e Shkupit paratë e planifikuara për të shkuar në Haxh ka vendosur që t’i investojë në zgjërimin e një pjesë të rrugës kryesore të fshatit si dhe në ndërtimin e një muri rreth bregut të rrugës, që do të pamundësojë shembjen e tij.

Për shkak të pandemisë 68 vjeçari shqiptar e kishte të pamundur që të plotësojë njërin nga kushtet kryesore të fesë Islame dhe pas konsultave me djemtë e tij ai vendosi që paratë t’i destinoi për një qëllim tjetër në dobi të të gjithë banorëve të këtij fshati në komunën e Sarajit. Për shkak të rrugës së ngushtë deri tani lëvizja e makinave ka qenë shumë e vështirë ndërsa janë regjistruar edhe aksidente.

Rrezik tjetër përbënte edhe kalimi i këmbësorëve si dhe lëvizja e fëmijëve drejt shkollës. Veprimi i Qamil Hoxhës ka nxitur dy banorë tjerë të fshatit Ilmi dhe Shaban Tanallarin që të falin trollin e tyre për zgjërimin e rrugës. Punimet për zgjërimin e rrugës dhe fortifikimin e bregut kanë filluar javën e kaluar dhe pritet të përfundojnë brenda 20 ditëve./Gazeta LAJM