Objektet hotelierike do të hapen në fillim të javës së ardhshme, informoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai sqaroi se ato do të hapen të martën nëse Komisioni për sëmundje infektuese e merr vendimin të premten.
“Nëse nuk merret vendim të premten, hapja e objekteve hotelierike me siguri do të jetë gjatë ditëve të para të javës”, tha Filipçe.
Ai nuk pajtohet me konstatimin se shteti ynë ka më së shumti raste të vdekjes në rajon.
“Vdekshmëria nuk është më e larta në rajon. Ajo nuk llogaritet sipas numrit të banorëve por sipas numrit të të sëmurëve. Sllovenia ka vdekshmëri më të madhe sesa ne. Megjithatë, duhet pasur parasysh se prej 110 rasteve të vdekjes 22 janë diagnostikuar pas vdekjes, ndërsa këtë nuk e bën asnjë vend tjetër. Ne hymë në njëfarë forme në diagnostikim për ta parë pasqyrën më të gjerë të pandemisë. Kur t’i hiqni këto 22 raste, shkalla e vdekshmërisë është akoma më e vogël”, tha Filipçe.
Ai sqaroi se me diagnostikimin pas vdekjes, autoritetet kanë mundësi t’i analizojnë kontaktet e personit i cili ka qenë i infektuar, ndërsa ka vdekur, që të analizohet nëse personi i vdekur ka infektuar të tjerë.