Me mbështetjen e BDI-së dhe me 88 vota u votua riorganizimi i ministrive

Shumica e re parlamentare e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, me mbështetjen e deputetëve të Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI-ja, miratuan ndryshimet ligjore me të cilat futen të reja dhe riorganizohen disa nga ministritë ekzistuese.

Seanca parlamentare mbrëmë ka vazhduar pas mesnatës, ndërsa votimi është zhvilluar rreth orës 02:30 të natës së premtes dhe të shtunës, 7 dhe 8 qershor.

Ndryshimet, të cilat të mërkurën, më 5 qershor, u propozuan nga lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandati për formimin e qeverisë, Hristijan Mickoski, u bënë në procedurë të shkurtuar. “Pro” votuan 88 deputetë dhe “kundër” 22.

Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, për të cilat kërkohet shumicë prej dy të tretave, përkatësisht së paku 80 nga 120 votat e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.