Me letërnjoftimin qe e kishte gjetur në rrugë, tetovarja merr kredi – MPB me kallëzim penal kundër 32 vjeçares

SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër M.A. (32) nga Tetova për shkak të ekzistimit të dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim të të dhënave personale”, si dhe kundër dy filialeve të shoqërive financiare nga Republika e Bullgarisë në Tetovë dhe në Shkup për shkak të ekzistimit të dyshimit për vepër penale “punë e pandërgjegjshme”.

E denoncuara e parë, në janar të vitit 2022, në afërsi të qendrës Klinike në Tetovë, ka gjetur një letërnjoftim të humbur, e cila në vend që ta paraqiste në stacionin policor, pa pëlqimin e pronarit, ajo i ka përdorur të dhënat personale dhe në tre raste ka marrë kredi të shpejtë në dy filialet e shoqërive financiare.

Dy persona juridikë kanë vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme duke lënë jashtë mbikëqyrjen e duhur dhe në këtë mënyrë i kanë mundësuar të denoncuarës së parë të marrë kredi të shpejtë, duke përdorur dokument personal të një personi tjetër.