Një 35-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga policia italiane për trafikim droge.
Autoritetet e shtetit fqinj kanë gjetur në çantën e shqiptarit 1 kg e gjysmë heroinë e konfeksionuar në dy pako.
Gjatë kontrollit në banesën e shqiptarit është zbuluar një laborator përpunimi heroine, si dhe janë sekuestruar 1 kg e gjysmë heroinë, 6 kg lëndë përzierje për përgatitjen e dozave të drogës dhe 8 mijë euro cash.
35-vjeçari, emri i të cilit ende nuk bëhet me dije, ishte marrë në hetim që prej muajit qershor, por arrestimi i tij është bërë ditën e sotme.
Mediat italiane raportojnë se trafikanti shqiptar rezulton i martuar në Shqipëri e me qëndrime të shpeshta në qytetin e Milanos.
35-vjeçari i shiste dozat e përgatitura nga vetë ai në një zonë pyjore të Milanos, e frekuentuar nga përdoruesit e drogës.
Policia italiane dyshon se shqiptari mund të jetë anëtar i një grupi trafikatësh me bazë në Shqipëri, por që merret me përgatitjen e heroinës dhe shitjen e saj në Itali.