Më i kërkuari në botë, kush është 39-vjeçari norvegjez që i shiti Hezbollaut radiomarrësit

Pronari i kompanisë fiktive bullgare “Norta Global”, që dyshohet se është përgjegjës për shitjen e radiomarrësve që shpërthyen në të gjithë Libanin, u zhduk në ditën e shpërthimit dhe që atëherë është në kërkim.

Sipërmarrësi Rinson Jose (39 vjeç), i cili jeton në Norvegji dhe është me origjinë nga India, renditet si pronar i “Norta Global”.

Të martën, Jose duhej të linte apartamentin e tij në periferi të Oslos dhe të shkonte në një udhëtim pune të planifikuar më parë, por punëdhënësi i tij kryesor, konglomerati norvegjez i medias NHST Media Group, nuk ishte në gjendje ta kontaktonte dhe të mërkurën në mbrëmje informoi shërbimin e inteligjencës norvegjeze për zhdukjen e tij.

Një ditë më pas, policia lokale njoftoi se kishte nisur një “hetim paraprak për informacionin që ka dalë në dritë”. “Ne jemi në dijeni të informacionit, por nuk kemi asnjë koment për të”, tha Unni Grøndal, një zëdhënëse e policisë norvegjeze në Oslo.

Nuk ka asnjë provë për momentin që të sugjerojë se Jose e ndihmoi qëllimisht Izraelin të ndërhynte te radiomarrësit për të bombarduar anëtarët e Hezbollahut ose se ai ishte në dijeni për operacionin e Tel Avivit.