Me burrë të alkoolizuar e kumarxhi, gruaja rrëfen 10 vite tmerr 16/05/2018 20:21


Antoneta erdhi nga Pogradeci në Tiranë në fillim të viteve ‘90. Me bashkëshortin nisi një jetë të re. Të dy shisnin në treg për të fituar jetesën, por jeta e Tiranës i mësoi burrit të saj zakone të reja.

“Letra, loto shumë nëpër xhepa. Vinte lahej dhe nxirrte nga 3-4 dhe kur nuk fitonte pinte raki. I hyri në gjak bixhozi dhe po të mos luante, edhe sikur pesë lekë të kishte, ishte e pamundur. Po i lë, thoshte, por do t’i marr”, tregon ajo.

Loto dhe alkool e më pas dhunë ndaj gruas dhe djalit, atëherë 7 vjeç që e lajmëronte nënën kur futej në shtëpi në këtë mënyrë.

“Është i pirë më thoshte, por mos bëj shamata më thoshte djali. I vija bukën në tavolinë, e hidhte poshtë bashkë me tavolinën. Më ka rrahur shumë herë, nuk numërohen. Me shishe, grusht. Më ka bërë për spital, por i duroja dhimbjet në shtëpi. M’u ça nofulla njëherë dhe nuk më pushonte gjaku. Nuk e lajmërova policinë se më vinte turp”, rrëfen ajo mes lotësh.

Kaluan 10 vjet nën dhunë fizike, ankth e sherr.

“Më parë ta kisha marrë vendimin e të shkoja në gjykatë. Fëmijët nuk donin të rrinin me të, asnjëri. As i madhi, as i vogli. Më thoshte që unë do të vars, unë do të bëj…”, shton ajo.

Në gjykatë njohu edhe gra të tjera si ajo.

“Aty sikur u bëra me krahë kur kisha shoqe në gjykatë. Nuk isha e vetme për shkak të bixhozit, lotove e rakisë. Kur pinte më godiste dhe herë tregoja e herë jo. Doja ta falja, por më shumë lot sesa bukë kam ngrënë. Halle pa peshore”, deklaron ajo.

Nga stresi dhe jeta e vështirë kaloi disa sëmundje të rënda, por në fund arriti t’i mbijetojë si sëmundjes, ashtu edhe dhunës.

“Hoqa gjirin, i kisha hequr që të dy po ato strese të mos i kisha kaluar. Jo zemra, tensioni të gjitha nga streset që kam kaluar”, vazhdon ajo.

Ka një mesazh për gratë që po vuajnë atë që ajo kaloi.

“Të mos durojnë asnjë fije floku! Jeta një herë vjen. Një burrë pijanec e bixhozxhi, po nuk ndryshoi vitin e parë, të ndahet. Me punë i dilet mbarë çdo gjëje”, këshillon Antoneta.

Top Channel