Me apo pa qumësht, cila kafe është më e mirë për shëndetin?

Kafeja është një nga pijet më të rëndësishme për të nisur ditën çdo mëngjes. Ajo është transformuar në një përbërës tejet të nevojshëm për një paradite energjike.
Studimet konfirmojnë se njerëzit mund të heqin dorë nga alkooli, por e kanë të pamundur të heqin dorë nga kafeja e mëngjesit. Studimi në fakt nuk vlen për të gjithë, por nënvizon rëndësinë e kafesë në jetën e shumë njerëzve.

Disa e pijnë kafenë me qumësht e me shumë sheqer, disa zgjedhin ta pinë shqeto, të zezë e pa shtesa të tjera. Pasi të keni lexuar këtë artikull të AgroWeb.org do të jeni në gjendje të dalloni alternativën më të shëndetshme mes kafesë me qumësht dhe asaj pa qumësht.

Kaloritë dhe yndyrnat
Një filxhan me kafe pa qumësht përmban 10 kalori dhe aspak yndyrë. Përmbajtja e këtyre të dyjave rritet në varësi të sasisë dhe llojit të qumështit të përdorur. Një filxhan me qumësht pa yndyrë përmban 90 kalori.
Kafeina
Kafeja e bluar dhe e zier në çast ka më shumë kafeinë se një kafe ekspres. Kafetë e përziera me qumësht kanë më pak kafeinë.

Aciditeti
Nëse aciditeti i tepërt ju bën dëm, atëherë qumështi mund të zbusë nivelin e tij. Njerëzit që vuajnë nga urthi thonë se qumështi e bën kafenë më të pranueshme nga organizmi.
Kalciumi
Nëse kalciumi ose vlera të tjera ushqimore janë të nevojshme për ju, atëherë mund të përdorni kafe me qumësht. Megjithatë, sasia e qumështit dhe kalciumit në një filxhan me kafe është tepër e vogël për të bërë një ndryshim madhor në shëndetin tuaj.