Mbyllet lokali në Gërçec të Shkupit! Një i arrestuar

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas mesnate policia, së bashku me zyrtarë të Drejtorisë për të Ardhura Publike dhe zyrtarë të Inspektoratit të Tregut kanë kryer kontrolle në një objekt gastronomie në fshatin Gërçec të Shkupit, përcjell TV21. Autoritetet kanë konstatuar një sërë parregullsish, pas çka është mbyllur objekti.

“Janë konstatuar një sërë parregullsish: objekti i hotelierisë nuk ka pasur person juridik-firmë të regjistruar, nuk ka pasur pajisje fiskale të regjistruar, nuk janë respektuar masat për luftë kundër COVID-19”, theksohet në njoftimin e MPB-së.

Pas kontrollit të policisë, një person është arrestuar pasi tek i njëjti është gjetur një thikë.

“Është kryer kontroll tek 40 persona dhe është konstatuar prania e tre të miturve në objekt, për të cilët do të vijojnë parashtrime përkatëse. Gjithashtu është ndaluar një person tek i cili është gjetur një thikë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MPB-së.