Kafene e restorante të boshatisura. Kjo është pasqyra në rrugën më të frekuentuar në qytetin e Shkupit. Numri më i madh i lokaleve kishin vendosur drynin, e një pjesë e vogël kishin vendosur tabela para lokaleve me mbishkrime “Kafe dhe ushqim me vete”, “Take a way”, “Dërgesë deri të zyra juaj” kjo pasi që shërbimet e tyre do të mund t’i kryejnë vetëm nga sportelet.
“Po punojmë vetëm me porosi. Take and go. Po vetëm me porosi”.
Në këtë kafenë prej mëngjesit nuk kishin pasur asnjë porosi. Ne ishim “mysafirët” e parë në këtë lokal.
“Frikohemi që nuk do të jenë vetëm dy javë kafenetë e mbyllura. Kjo masë nuk do të zgjasë vetëm dy javë, sigurisht më së paku do të vazhdohet edhe dy javë e më shumë. Kjo do të kontribuoje që industria e hotelerisë të vij deri në kolaps, veçanërisht ku për momentin pakoja e pestë ende nuk është realizuar”, tha Zdravko Josifovski nga Oda e Pavarur e Hotelierëve.
Një numër i vogël i qytetarëve praktikojnë të blejnë kafe apo ushqim me vete.
Nga sot qytetarët nuk do të mund të pinë kafenë brenda në lokale apo të hanë ushqim nëpër restorantet. Ata vetëm mund ta marrin ushqimin apo kafenë dhe të shkojnë. Ndërkohë mund të porosisin edhe online”.
Josifovski shton se mundësia për shërbimet nga sportelet është mashtrim për hotelierët pasi që nuk do të mund t’i mbulojnë harxhimet.
“Një pjesë e madhe mendojnë se me shërbimin nga sportelet ose “Take and go” hoteleritë mund të mbijetojnë por kjo nuk është e vërtetë, kjo është vetëm një mashtrim pasi që hotelierët nuk mund të gjenerojë të ardhura dhe t’i mbulojë harxhimet”, shtoi Zdravko Josifovski nga Oda e pavarur e hotelierëve.
Edhe bastoret mund të punojnë vetëm nga sportelet. Nga dje janë mbyllur edhe sallat sportive, si dhe ndalohet edhe organizimi i konferencave, seminareve, trajnimeve dhe kurseve. Këto masa të reja u miratuan nga Qeveria dy ditë më parë me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive. Ndryshe në vendin tonë nga dita e djeshme është zgjatur edhe ora policore duke filluar nga ora 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.