Mbyllen klubet e natës në Shqipëri, ndalohet muzika pas orës 20:00

Me vendim të qeverisë shqiptare nga sot do të ndalohen klubet e natës diskot “lounge bar” dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre. Njoftimi është dhënë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se prioritet për qeverinë shqiptare është mbrojtja e jetës së qytetarëve. “Kjo situatë që po kalojmë kërkon zbatim rigoroz të protokollit të sigurisë. Vihet re në javët e fundit rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe përdorimit të maskave e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës.

Kemi konstatuar që në këtë periudhë ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh ku injorohet totalisht zbatimi i masave për parandalimin e infeksionit duke i shndërruar në vatra potenciale të infeksionit. Të rinjtë bëhen kështu bartës të virusit në dëm të më të moshuarve. Nga sot qeveria i thotë stop kësaj sfide që i bëhet rregullave të vendosura për të parandaluar pandeminë. Prioriteti ynë numër 1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Sot vihet në zbatim akti normativ për ndalimin e hapjes së klubeve të natës diskove “lounge bar” dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur. Mosrespektimi i këtij vendimi shoqërohet me gjobë prej 3 milionë lekësh dhe në rast përsëritjeje me mbyllje e aktivitetit për një vit” tha Manastirliu.

“Gjithashtu ndalohet muzika pas orës 20:00 në shërbimet e çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi dënohet me gjobë 1 milion lekë dhe në rast përsëritjeje me mbyllje të aktivitetit për 6 muaj” shtoi Manastirliu. Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të shifrave të të infektuarve nga COVID-19. Aktualisht 123 pacientë janë duke u trajtuar në dy spitalet COVID dhe 112 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje. Pas periudhës prej rreth 2 muajsh nën masa kufizimi të aktiviteteve qeveria lejoi rihapjen e bareve, lokaleve dhe klubeve të natës vetëm për mjedise të hapura.