Mbushet me pacientë Reparti Infektiv në Gostivar

Dhimbje e fortë e fytit, temperaturë e lartë dhe vjellje. Këto janë simptomat që vazhdojnë të shqetësojnë një numër të madh të qytetarëve, posaçërisht fëmijët në javët e fundit. Reparti Infektiv në Gostivar të gjitha kapacitetet i ka të mbushura, ndërsa në ditë aty kryhen edhe nga 60 kontrolle ambulantore.

Infektologu, Enes Memeti tha se ka pacientë që vijnë edhe me temperaturë më të lartë se 40 gradë. Sipas tij, shkaktari kryesor që Gostivari vazhdimisht ka numër të lartë të personave të prekur nga gripi është kultura jonë e përgjithshme, pasi te mjeku shkojmë vetëm kur na përkeqësohet situata por edhe si pasojë e mos trajtimit me protokoll nga mjekët amë të pacientëve të prekur nga viruset.

Gati i gjithë reparti është i mbushur, kurse brenda 24 orëve kemi nga 60 kontorlle të cilët i bëjmë në ambulantë. Pse na ndodh ky numër i lartë në Gostivar? – Kjo na ndodh për arsye fillimisht të kulturës mjekësore që kemi si popullatë dhe e dyta ka të bëjë me mjekët amë të cilët duhet të bëjnë mjekimin e sëmundjeve virale me protokoll bazuar me fakte, argument. Ne për fat të keq nuk kemi laboratore të sofistikuara për t’i diagostikuar këto lloj virusesh, prandaj si qytet ngecim në këtë drejtim. E kam thënë edhe më herët për televizionin tuaj se Gostivarit i mungon Qendra e Shëndetit Publik, pasi ajo merret kryesisht me detektimin e këtyre lloj virusesh e jo neve pastaj të na vijnë pacientët me pneumoni ku në disa raste janë edhe masive si rezultat i komplikimit që na japin viruset”, deklaron mjeku infektolog, Enes Memeti.