Mbretëresha Elizabetë: Mendoni për të tjerët, merreni vaksinën, mua s’më dhembi


Mbretëresha Elizabetë e Britanisë së Madhe i ka bërë thirrje popullit që të mendojë për të tjerët dhe ta marrë vaksinën kundër sëmundjes Covid-19, kur një gjë e tillë t’u ofrohet. Monarkja 94-vjeçare dhe Duka e Edinburgut, 99 vjeç, e morën dozën e parë të kësaj vaksine muajin e kaluar, shkruan BBC. Në një video-lidhje me udhëheqësit shëndetësorë që po merren me shpërndarjen e vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar, mbretëresha u pyet rreth përvojës së saj me marrjen e vaksinës.

Ajo qeshi dhe u përgjigj: “Paj, aq sa mund të kuptoj prej kësaj, ishte goxha e padëmshme. U bë shumë shpejt dhe kam marrë shumë letra nga njerëzit që janë befasuar shumë se sa lehtë ishte që të merrej vaksina. Nuk dhembi aspak.” Mbretëresha tha se e kupton që marrja e vaksinës mund të jetë përvojë e vështirë për disa njerëz, por i nxiti të gjithë që të mendojnë për të tjerët e jo veç për veten.

Deklarata e saj erdhi pasi ministri britanik i Vaksinave, Nadhim Zahawi, tha se të dhënat tregojnë që 11 deri në 15 për qind e njerëzve ngurrojnë që ta marrin vaksinën. Elizabeta shtoi se shpejtësia e zbatimit të programit të vaksinimit në Britaninë e Madhe ka qenë e dalluar deri më tani dhe i nxiti zyrtarët që ta vazhdojnë punën e mirë që po e bëjnë.