LSDM-ja do të fillojë sonte diskutimet brenda-partiake për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nuk është e sigurt nëse partia e Zoran Zaevit do të marrë një vendim që në takimin e parë por ata kishin premtuar edhe diskutime ndër-partiake sidomos me partnerët e koalicionit. Partitë tjera tashmë janë shprehur, disa “për” dhe disa “kundër” zgjedhjeve të reja parlamentare bashkë me ato presidencialet. Ndërkohë ata vazhdojnë me aktivitetet partiake për zgjedhjet presidenciale. VMRO-DPMNE-ja nuk konfirmon nëse kandidati i parë publik i saj Vllatko Gjorçev ka edhe mbështetjen e partisë. Emrin me të cilin do të kandidojë partia, opinioni zyrtarisht do ta mësojë në datë 16 shkurt, pas konventës së partisë.
Duhet para së gjithash të jetë person i ndershëm, person i respektuar nga rrethi që vjen, person që do ta flasë të vërtetën, person që do t’u ndihmojë njerëzve dhe person që do të jetë baba i vërtetë i qytetarëve të Maqedonisë, person që nuk do të manipulojë me ndjenjat e qytetarëve dhe nuk do të luaj me lojëra të ulëta por person që do të kujdeset dhe do të bashkëndjejë hallet e qytetarëve – u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga BDI-ja gjatë ditës deklaruan se parimisht janë për kandidat mbi-partiak të zgjedhur me konsensus.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, në këto zgjedhje duhet të zgjedhet njeriu i cili i ka ndjerë në kurrizin e tij pasojat e sistemit për një periudhë të gjatë kohore. Ziadin Sela thotë se është koha për president shqiptar.
Aleanca për Shqiptarët do të dalë me kandidatin e saj në zgjedhje. Është çështje vendimi pastaj a do të kemi koalicion me një subjekt tjetër ose jo, është çështje që duhet të marrin vendim organet e partisë. Mendojmë se një president me përkatësi etnike shqiptare është e radhës që të udhëheqë me shtetin – tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Nga Besa opozitare akoma nuk ka një vendim konkret mbi formatin me të cilin do të garojnë në zgjedhjet presidenciale.
Në momente të caktuara edhe do të dalim me një kandidat i cili do të ishte vetëm i lëvizjes Besa ose ndoshta edhe do të preferonim që së bashku me opozitën shqiptare të gjejmë ndonjë kandidat të përbashkët ose ndonjë kandidat që mund të ofrohej nga shoqëria civile. Të gjitha këto janë opsione të cilat për momentin vlerësohen dhe analizohen – deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Zgjedhjet presidenciale duhet të shpallen, e shumta më 8 shkurt, në rast se do të mbahen më 21 prill dhe 5 maj.