Edhe gjatë vitit 2021 në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ka pasur një rritje të numrit të familjeve të cilët janë në listën që marrin ndihmë sociale. Të dhënat të Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër thonë se gjatë vitit që kaloi numri i familjeve që marrin asistencë sociale është 813. Kjo tregon se edhe më tej në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë pjesa e madhe e popullatës ballafaqohet me problemet sociale.
Drejtori i Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku tha se në krahasim me vitin 2020 kur janë regjistruar 795 familje të cilët merrnin asistencë sociale, gjatë vitit 2021 ka një rritje prej 18 familjeve që do të thotë ndihmë sociale marrin 813 familje. “Kjo do të thotë se mbi 3500 banorë të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë jetojnë nga ndihma sociale”, thotë ai. Duke prezantuar të dhënat të punës të këtij institucioni social, drejtori Paçuku thotë se numri i personave që marrin ndihmë për përkujdesje për persona të tjerë është 488. Është kjo një e drejtë në sferën e politikës sociale që u jepet personave dhe familjeve të cilët angazhohen dhe ndihmojnë personat të pamundur.
Në sferën e shtesave fëmijërore sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, gjatë vitit 2021 këtë të drejt e kanë shfrytëzuar 637 familjarë, numër i cili është përafërsisht i njëjtë me një vit më parë. Në këtë drejtim në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë shtesa fëmijërore për fëmijën e tretë dhe të katër gjatë vitit të kaluar kanë marrë 497 familjarë. Në përputhje me ligjin në dy komunat për shtesë në arsim kanë shfrytëzuar 799 persona. Në këtë Qendër sociale në përputhje me ligjin për mbrojtje sociale realizohen pagesa edhe për kategoritë e tjera sociale. Gjatë vitit 2021, 813 persona kanë marrë ndihmë të garantuar minimale, 140 persona kanë marrë ndihmë për shkak të pengesave, 235 persona kanë marrë ndihmë të njëhershme në para, 74 persona kanë marrë sigurim sociale për të moshuar, 131 persona kanë marrë ndihmë në para për lindje, etj.
Në kuadër të këtij institucioni social në Dibër funksionon edhe kuzhina popullore e cila është hapur para 13 viteve. Drejtori Paçuku potencon se aktualisht këtu përgatitet ushqim i freskët dhe i ngrohët për 60 familje me 120 persona. “Ushqimi është i nivelit të duhur dhe personat me probleme ekstreme sociale për çdo ditë shfrytëzojnë ushqimin nga kjo kuzhinë. Ka kërkesa të reja dhe pritet që lista të shtohet”, thotë drejtori Kreshnik Paçuku. (koha.mk)