Nga 1 janari i 2024-tës, qytetarët e Kosovës po lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Por janë disa rregulla që duhet të respektohet gjatë udhëtimit për në vendet evropiane.
Që në momentin e arritjes në pikën e parë kufitare, kosovarët duhet të prezantojnë edhe disa dëshmi, e njëra nga ato është edhe ajo financiare, që varet nga dy faktorë: së pari varet nga numri i ditëve që do të qëndrojnë dhe shteti të cilin e vizitojnë, dhe pastaj nga ajo nëse do të qëndrojnë në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit.
Nëse qytetarët deklarojnë se do të qëndrojnë tek të afërmit duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve është rreth 30 deri në 50 euro në ditë për person.
Nëse ata deklarojnë se do të qëndrojnë në një hotel apo apartment apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve që duhet të ofrohen si dëshmi financiare është rreth 50 dhe 100 euro në ditë për person.
Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë.
Shumë prej kosovarëve po presin që të vizitojnë vendet evropiane, e poashtu edhe të afërmit e tyre.
Por, a kanë mjaftueshëm para ata që të përmbushin kriteret e Bashkimit Evropian për posedimin e shumave të caktuara të parave kur udhëtojnë?
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj ka bërë të ditur se sipas një studimi që ata kanë bërë, të interesuar për të lëshuar Kosovës janë rreth 34 për qind e fuqisë punëtore.
“Sipas një studimi që kemi bërë si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, të interesuar për të lëshuar Kosovës janë rreth 34 për qind e fuqisë punëtore. Nga kjo shifër, numri më i madh është nga fushat e ndërtimit, gastronomisë e punëtorë të qendrave tregtare. Pra, këta tre sektorë pritet të preken më shumë nga mungesa e fuqisë punëtore, mirëpo çdo sektor do të preket nga fluksi i lëvizjes së qytetarëve”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sa i përket aspektit financiar, ai ka thënë se mbi 57 për qind kanë deklaruar se do marrin borxh nga familjarët për të udhëtuar.
“Sa i përket aspektit financiar që duhet të plotësohet si kriter për lëvizje të lirë, mbi 57 për qind kanë deklaruar se do marrin borxh nga familjarët për të udhëtuar, ndërsa 23 për qind kanë filluar të kursejnë nga pagat këta 3 muaj që t’i sigurojnë të ardhurat për lëvizje, ndërsa 19 për qind e të anketuarve janë shprehur se janë futur në kredi për të siguruar të ardhurat e nevojshme”, ka sqaruar Dreshaj.
Ai gjithashtu është shprehur se vlerësojnë se një pjesë e konsiderueshme do kthehet pas një periudhe 6 deri 10 mujore.
“Ne vlerësojmë që një pjesë e konsiderueshme do kthehet pas një periudhe 6-10 muajshe, mirëpo qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të fillojë përgatitjen e reformave fiskale dhe njëherësh politikat që ndikojnë në ndikimin direkt të kësaj situate”, është shprehur tutje ai për Klan Kosova.