Kur mësimdhënësit patën kërkuar ngritje pagash, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pati thënë se nuk e meritojnë asnjë kacidhe më shumë, sepse nuk po i arsimojnë fëmijët si duhet.
Por, Kosova mund të mbetet edhe pa këta arsimtarë “të dobët” shumë shpejt.
Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim vjetor pa pagesë – siç ua mundëson ligji – për t’u larguar nga Kosova pas 1 janarit, kur do të jetë e mundur me liberalizimin e vizave.
Kërkesa e përnjëhershme e këtyre punëtorëve të arsimit për të eksploruar fatet e tyre jashtë Kosovës mund ta godas arsimin më keq se çkado tjetër më parë.
“Shifrat e sakta i posedojnë drejtoritë e arsimit, por nga shifrat që i kemi ne, janë rreth 300 punëtorë të arsimit që kanë kërkuar pushim pa pagesë një vjet”, ka konfirmuar për Albanian Post, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës.
Kur një mësimdhënës kërkon të drejtën e pushimit vjetor pa pagesë, kjo i mundëson atij largimin për një vit pa e rrezikuar vendin e punës.
Mundësia e tillë përbën shans të mirë për ta që të hulumtojnë tregun jashtë Kosovës pa humbur mundësinë e rikthimit si arsimtar në Kosovë.
“Ajo që na shqetëson është se mbase këta 300 kanë kërkuar pushim një vit për t’u larguar nga sistemi arsimor, qoftë për t’u punësuar diku brenda Kosovës apo qoftë për të shkuar diku jashtë vendit për shkak të liberalizimit të vizave”, thotë Rrahmani, duke shprehur shqetësimin se numri mund të rritet e të shumëfishohet.
Ai i frikësohet akoma më shumë një fakti tjetër.
Çka nëse këta që largohen, akomodohen në shtete të tjera dhe largimi i tyre përbën storie suksesi për ta?
Ato tregime të rehatisë jashtë Kosove do t’u përcillen kolegëve të tyre në Kosovë dhe dëshira e të mbeturve për të replikuar suksesin e të shkuarve do ta kolapsonte fare sistemin arsimor.
“E keqja më e madhe që mund të ndodh është që kolegët të cilët i kanë këtu mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre duke komunikuar me këta mësimdhënës që janë larguar dhe numri i tyre mund të shtohet”, shqetësohet Rrahmani.
Halli i mësimdhënësve që po e përdorin strategjinë e largimit të përkohshëm për zbulim të mundësive jashtë sistemit arsimor e jashtë Kosovës është te fakti që nuk shohin perspektivë.
Gjendja s’është keq veç tani, ajo s’pritet të bëhet më e mirë as në të ardhmen dyshojnë ata.
Sidomos kur kanë parë se koeficienti për pagat i miratuar me buxhetin e ri është rritur vetëm pesë euro, çka do të nënkuptonte një rritje mesatare të pagës për vetëm 25 euro.
Në kontekst të situatës me gjithë këtë inflacion, kjo në fakt nënkupton ulje të pagës.
“S’kemi qenë të kënaqur me Ligjin e Pagave”, thekson Rrahmani, “por Qeveria vendosi të mos na dëgjojë as neve dhe as deputetët”.
Prandaj, “në janar rritja me koeficientin 110 nuk është më shumë sesa 25 euro”, konfirmon.
Por, të larguarit mund të zëvendësohen me të tjerë, apo jo?
“Jo”, thotë Rrahmani.
“Qeveria Kurti duhet ta dijë që këta njerëz nuk mund t’i zëvendësojmë menjëherë nëse largohen nga vendi”.
Por, shqetësimi i tij kryesor nuk mbesin këtë 300 veta.
Ai thotë se “në SBASHK ekziston frika se numri 300 mund të jetë vetëm një numër fillestar”.
Dyshimet janë se të tillë do të jenë mijëra.